Maqedoni

Zaevi optimist: Në 2018, marrim datë për fillimin e negociatave; Eurointegrimet, Osmani: Reformat, prioritet për Qeverinë e re

21.06.2017 18:02

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, nga Sofja, ku ndodhet për vizitë zyrtare...

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, nga Sofja, ku ndodhet për vizitë zyrtare, është shprehur optimist se në vjeshtën e këtij viti Maqedonisë mund t’i mënjanohet rekomandimi i kushtëzuar, ndërsa në vitin 2018 të marrë datë për fillimin e negociatave.
 
ZaevI theksoi se ndihma e Bullgarisë në këtë drejtim është shumë domethënëse për shkak të përvojës që ky vend e ka në procesin e integrimit. Ndërkohë, krahas reformave që duhet t'i bëjë në shtet, Zaevi shpreson edhe për hapërim pozitiv rreth problemit me emrin.
 
“Fjalët e mira të Bullgarisë në institucionet e BE-së për ne janë shumë domethënëse jo vetëm pse është anëtare e BE-së, por për shkak se është fqinje e Maqedonisë. Unë jam i bindur se kjo do t’i trimërojë edhe anëtaret e tjera me shumë shembuj pozitiv, që do t’i japë Maqedonia nëpërmjet reformave të suksesshme që do të pasojnë dhe përfundimisht Maqedonia ta shmangë rekomandimin e kushtëzuar për fillimin e bisedimeve me BE-në, që do të ishte në vjeshtë të vitit 2017, me dëshirë që në vitin 2018 të marrim edhe datë për fillimin e negociatave. Gjithsesi, Maqedonia krahas punëve të planit të brendshëm lidhur me reformat që do të duhet t’i realizojmë, shpresojmë edhe në hap pozitiv rreth problemit të cilin Greqia e ka me emrin tonë”,- u shpreh kryeministri, Zoran Zaev.
 
Reformat do të jenë prioritet për qeverinë e re, të cilat duhet ta afrojnë vendin në drejtim të integrimeve, u shpreh zëvendëskryeministri, Bujar Osmani, dhe ministri i Jashtëm, Nikolla Dimitrov.
 
“Qeveria e re po përgatit plan për të ardhmen, e cila do të lëviz në dy rrugë. Njëra ka të bëjë me adresimin e reformave prioritare urgjente që rezultojnë të domosdoshme pas megaskandalit me përgjimet, që shkaktoi krizën institucionale dhe politike, dhe paralelisht me këtë të adresohen të gjitha barrierat politike në rrugën integruese”,- theksoi zëvendëskryeministri, Bujar Osmani.
 
“Mënyra më efikase që të hapen dyert është që të merren seriozisht reformat dhe t’u kushtohet zhvillimit të marrëdhënieve të mira ndërfqinjësore mbi bazën e një partizimi afatgjatë dhe jo përmes nacionalizmit, stereotipave dhe paragjykimeve”,- tha ministri i Jashtëm i RM-së, Nikolla Dimitrov.
 
Veç bashkëpunimit, në planin eurointegrues dy qeveritë shprehen optimiste edhe në rritjen e bashkëpunimit ekonomik. Maqedonia do të këmbejë përvoja me Bullgarinë edhe në thithjen e IPA-fondeve. Bullgaria ka treguar një rezultat impresiv në shfrytëzimin e këtyre fondeve.
 
NAIM RAMADANI