MAQEDONI

MASH: Testimi ekstern pa probleme serioze

02.06.2014 16:14

Për 189 037 nxënës dhe për 18 126 mësimdhënës në 680 shkolla fillore dhe të mesme të vendit ka filluar sot testimi ekstern...

Për 189 037 nxënës dhe për 18 126 mësimdhënës në 680 shkolla fillore dhe të mesme të vendit ka filluar sot testimi ekstern, i cili do të realizohet në 10 ditët e ardhshme.
 
Zëvendësministri i Arsimit, Safet Neziri, ka përcjellë procesin e testimit në shkollën fillore “Petar Zdravkovski-Penko” në Butel të Shkupit, i cili me këtë rast ka theksuar se procesi i testimit po shkon sipas planit të paraparë dhe se nuk do të lejohet që pengesat teknike të ndikojnë në suksesin e nxënësve.
 
“Dua të them dhe të konstatoj se në asnjë mënyrë dhe asnjë moment nuk do të lejojmë që nxënësit për çështje teknike, për çështje organizative të dëmtohen, domethënë se nëse eventualisht vonohet 5 minuta ose 10-15, gjithnjë do t’i kemi parasysh që t’ia kompensojmë atë kohë nxënësve që të mund të kenë atë tajmingun e tyre 60 minutësh për t’iu dhënë përgjigje të gjitha atyre pyetjeve të cilat i kanë para vetes”, deklaroi zëvendësministri i Arsimit, Safet Neziri.
 
Neziri po ashtu theksoi se rezultatet do të publikohen sa më shpejtë që të jetë e mundur, sidomos për nxënësit e klasës së tetë, që të mund të kapin afatet për regjistrim në shkollë të mesme.
 
“Rezultatet do të punohet që sa më shpejt të dalin, me theks të posaçëm veçanërisht për nxënësit të cilët e kryejnë klasën e 8, që të munden ato të regjistrohen në shkollat e mesme, respektivisht më 23 qershor dhe besoj se para qershorit do të jenë përgjigjet gati, që të mund të jenë të gatshëm nxënësit për t’u regjistruar në shkollat e mesme”, theksoi Neziri.
 
Sa u përket vërejtjeve qoftë në përmbajtjen apo përkthimin e pyetjeve, Neziri tha se ka pasur mbi 3 mijë e 400 vërejte, një pjesë e të cilave edhe janë marrë parasysh nga Qendra Shtetërore e Provimeve, Byroja e Zhvillimit të Arsimit dhe Qendra e Arsimit Profesional në Maqedoni. 
 
GYLTENE SINANI