MAQEDONI
Sonte në sheshin “Skenderbeu” në Shkup “Netët e klipit shqiptar”
02.06.2014 17:58
Zhvillohet përfundimisht sot në mbrëmje nata gala e shumëpritur e festivalit...

Zhvillohet përfundimisht sot në mbrëmje nata gala e shumëpritur e festivalit të 13 të videoklipeve shqiptare në sheshin Skënderbe në Shkup.
Koha i ka lënë pas tashmë kapriçot e saj dhe ka lejuar producentin Petri Bozo dhe stafin e tij të vazhdojë punën, duke plotësuar të gjitha detajet për një natë perfekte glamour të këtij festivali, i vetmi në llojin e vet në hapësirën mbarëshqiptare.
“Pavarësisht se dje koha nuk na premtoi që të mbanim natën gala të edicionit 13 të “Netëve të klipit shqiptarë”, pikërisht këtu në sheshin “Skënderbe”në Çarshi të Shkupit, patëm mirëbesimin e të gjithë artistëve të ftuar, të gjithë studiot të produksionit nga Shqipëria, Kosova që ishin të ardhur dhe sigurisht vendasit e Shkupit, të cilët premtuan se do të jenë përsëri këtu dhe nën mikpritjen e jashtëzakonshme të kryetarit të Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, të gjithë u sistemuan dhe sot janë gati për të parakaluar në tapetin e kuq, i cili do të fillojë në transmetim të drejtpërdrejtë në TVM-2 në orën 20:15, për t’ia lënë vendin pastaj spektaklit të madh, menjëherë pas 20 minuta ose në 20:35 në një transmetim të drejtpërdrejtë televiziv prej gati 2 orë dhe 40 minutash, që do të shkojë si në TV tuaj, ashtu dhe TVSH”, deklaroi producenti i festivalit, Petri Bozo.
Artistët e shumtë të mbërritur dje nën mikpritjen e miqve të Shkupit, kaluan një natë të mrekullueshme në Çarshi dhe tashmë presin me padurim hapjen e zarfeve të çmimeve për të rrëmbyer trofetë.
“Thjeshtë fakti që ne jemi në vitin e 13 të këtij festivali, do të thotë që ky është festival tradite. Nuk është hera e parë që unë marr pjesë si anëtarë jurie në festivalin e “Netëve të kripit”. Sivjet ka një veçanti të jashtëzakonshme, sepse për të gjithë ne është një atmosferë që nuk e kemi jetuar kurrë më parë, d.m.th. të prekim Shkupin me artin e shqiptarëve, me zor pres të vijë mbrëmja dhe ta shpallim fituesin në këtë qytet”, theksoi anëtari i jurisë, Ardi Aslani.
“Ky event është shumë i rëndësishëm në fakt për të gjitha trojet shqiptare. Pjesëmarrja është e jashtëzakonshme, është viti i 13 dhe është një emocion shumë i madh për mua. Jam nominuar gati në 3-4 kategori, do t’a shikoj a do të dal fituese në një prej tyre. Megjithatë kritikat kanë qenë shumë pozitive për videon time që është në anglisht, por produksioni është tërësisht shqiptarë, është shumë i rëndësishëm për ne, siç ju thashë pak më parë, sepse është festivali i vetëm që i vlerëson videot, d.m.th. është i pari. Ka edhe festivale të tjera, por që përfshirja është e këngëve dhe e videove, ndërsa kjo është tërësisht e pozicionuar te videot”, u shpreh këngëtarja Orgesa Zaimi.
Pra sonte nën prezantimin e këndshëm të dy miqve të shtëpisë, gazetarëve të TVM-2, Avni Qahilit dhe Migena Gorencës, si dhe të aktores tashmë e familjarizuar në “Netët e kripit”, Klea Huta, do të mbajnë gjallë emocionet e të gjithë teleshikuesve dhe personazheve VIP që do të parakalojnë sonte në tapetin e kuq.
REXHEP QAMILI
