OKB: ISIS po përdor 100.000 persona si mburoja njerëzore
Kombet e Bashkuara japin alarmin se ISIS.....

Kombet e Bashkuara japin alarmin se ISIS mund të jetë duke përdorur 100.000 persona në Mosul si mburoja njerëzore. Mijëra forca irakiane të sigurisë, luftëtarë kurdë, arabë sunitë dhe militantë shiitë, të mbështetur nga avionët luftarakë të koalicionit të udhëhequr nga ShBA-të janë përfshirë në betejën për të rimarrë qytetin kyç të Mosulit, që nga 17 tetori i vitit të kaluar.
Qeveria deklaroi çlirimin e plotë të Mosulit lindor në janar, por pjesa perëndimore e qytetit është sfidë më vete. Besohet se në qytet kanë mbetur rreth 300 militantë. ISIS shkatërroi mbrëmë edhe xhaminë antike të al-Nurit në Mosul.
“Shteti Islamik” fajëson forcat amerikane për shkatërrimin e këtij kompleksi, një pretendim që mohohet nga Shtetet e Bashkuara.
Xhamia më se 800-vjeçare ishte vendi ku lideri i ISIS-it, Abu Bakr al-Baghdadi, shpalli një kalifat në vitin 2014. Shkatërrimi i saj është dënuar gjerësisht, pasi xhamia konsiderohet një pasuri jo vetëm për qytetin e Mosulit, por për mbarë Irakun.
