Taravari: Do ta mbështesim programin për HIV dhe TBC

22.06.2017 15:36

Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, paralajmëron se nuk do të dështojë....

Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, paralajmëron se nuk do të dështojë programi kundër SIDË-s, Tuberkulozit dhe Malarjes, financimi i të cilave nga Fondi Global përfundon deri në fund të muajit. Këto programe do të vazhdojnë të financohen nga Ministria e Shëndetësisë, premtoi ministri Taravari.

“Nuk do të ndodh kolaps, ka buxhet të caktuar në Ministrinë e Shëndetësisë dhe së bashku me mjetet tjera të Fondit Global deri në fund të vitit do të ketë mjete për mbështetje të programeve. Bëhet fjalë për 6 milion denarë, të cilat shpresojmë se do të jenë të mjaftueshme deri në fund të vitit”,- deklaroi ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari.

Nëse nuk do të gjendej zgjidhje urgjente, rreth 10 mijë njerëz do të mbeteshin pa trajtimin e nevojshëm mjekësor, theksuan nga HOPS dhe Platforma për parandalim dhe mbështetje të HIV-it.

“Maqedonia arriti të vendos kontroll të infeksionit dhe të mbetet me përqindje të ulët të HIV-it pikërisht për shkak të këtyre programeve serioze të cilat shpëtojnë jetë njerëzish dhe ndikojnë në parandalim. Mbi 15 mijë shfrytëzues janë përfshirë në këto shërbime që janë jashtë sistemit shëndetësor. Nëse vazhdon financimi do të parandalohen 290 raste të vdekjeve dhe 840 raste të reja”,- deklaroi Elizabeta Bozhinovska nga Platforma për qëndrueshmëri të programit për parandalim dhe përkrahje të HIV-it.

“Nëse dëshirojmë të mbetemi lider në rajon me përqindje më të ulët me HIV në Evropën Juglindore, nëse dëshirojmë të shpëtojmë jetë njerëzish, këto programe duhet të vazhdohen me buxhet shtetëror”,- u shpreh Hristijan Jankullovski nga HOPS.

Fondi Global gjatë 13 viteve të kaluara ka investuar 33 milion dollarë, prej të cilave 25 milion për HIV dhe 8 milion të tjera për TBC.

Financimi nga Fondi Global përfundon më 30 qershor, u bë e ditur gjatë promovimit të fushatës "Me vendime kyçe drejt komunitetit të shëndoshë", nga HOPS dhe Platforma për parandalim dhe mbështetje të HIV-it. (Gyltene SinanI, TVM2)