ShShM rishikim të lektyrave të vjetruara, problem shtesë mospërfshirja e shkrimtarëve nga Maqedonia
Shoqata e Shkrimtarëve të Maqedonisë ngriti iniciativë për rishikimin e lektyrave të shkollave fillore....

Shoqata e Shkrimtarëve të Maqedonisë ngriti iniciativë për rishikimin e lektyrave të shkollave fillore dhe të mesme të cilat janë të vjetruara dhe nuk korrespondojnë me nevojat e vërteta të procesit mësimor.
Shumë botime nuk janë ribotuar me vite dhe nuk mund të gjenden në biblioteka, andaj kërkohet rishikim i lektyrave nga ministritë kompetente.
“Shoqata e Shkrimtarëve të Maqedonisë kërkon nga Ministria e Kulturës dhe e Arsimit që të shfrytëzojnë mekanizmat e tyre për përfshirje të ekspertëve të pavarur nga fusha e letërsisë dhe arsimit për rishikim të lektyrave sipas parametrave estetike dhe pedagogjike bazuar në sistemin bashkëkohor arsimor”,- u shpreh kryetari i ShShM-së, Vele Smilevski.
Ndërkohë, i menjëhershëm ishte reagimi i ministres së Arsimit, Renata Trenevska – Deskovskas, e cila premtoi hapjen e një procesi të revidimit.
“Më vjen mirë që një nismë e tillë erdhi nga Shoqata e Shkrimtarëve të Maqedonisë dhe në kuadër të procesit të revidimit duhet të revidohet edhe lista e lektyrave, kështu që do të hapet edhe kjo procedurë”,- tha ministrja e Arsimit, Renata Trenevska – Deskovska.
Sipas shkrimtarit, Resul Shabanit, 40 vite punohet me të njëjtat lektyra, botimi i fundit ka qenë në 1989 dhe një ribotim në vitin 2001. Problem shtesë është mospërfshirja e shkrimtarëve nga Maqedonia.
“Mungojnë autorët shqiptarë nga Maqedonia dhe kjo dukuri është alarmante. Kjo d.m.th. se ne shqiptarët në Maqedoni as nuk kemi shkrimtarë as letërsi, që është në kundërshtim me gjendjen faktike, ne kemi edhe letrarë të mirë edhe vepra të mira”,- u shpreh shkrimtari, Resul Shabani.
Nga ShShM-ja thonë se do t’i kushtohet rëndësi edhe përkthimit të lektyrave nga të gjitha gjuhët, sepse jetojmë në një shoqëri multietnike. (Flutura Latifi, TVM2)
