Qendër për punësimin e të rinjve me handikap: Shumë pak të punësuar me hendikap

22.06.2017 16:03

Oda Ekonomike e Maqedonisë dhe Lëvizja Kundër Hendikapit Polio Plus....

Oda Ekonomike e Maqedonisë dhe Lëvizja Kundër Hendikapit Polio Plus, kanë formuar qendër për punësimin e të rinjve me hendikap.

Ky projekt financohet nga BE në kuadër të IPA – Programit operativ për zhvillim të resurseve njerëzore për vitin 2007-2013. Nga Polio Plus theksojnë se në Maqedoni numri i personave të punësuar me hendikap është shumë i vogël në krahasim me popullatën e punësuar.

“Personat me hendikap janë punëtorë të shkëlqyer, por ende nuk iu është dhënë mundësia për ta treguar vetën. Në kompani rreth 2 mijë persona janë të punësuar, ndërsa 290 në administratën publike, që është një numër mjaft i vogël. Shteti duhet që të ec para me punësimin e personave me hendikap”,- deklaroi Elena Kocoska nga Polio Plus.                                                                     

Nga Oda Ekonomike e Maqedonisë thonë se përmes Qendrës për punësimin e të rinjve me hendikap ndërtohet një urë mes personave me hendikap dhe kompanive, si dhe nxirren përfitime për të dyja palët.

“Së bashku të bëjmë programe të cilat do t’i ndihmojnë kompanitë dhe personat me hendikap të përfitojnë cilësi, aftësi dhe mjeshtëri që më lehtë të punësohen. Gjithashtu , do të punojmë me kompanitë që kanë dëshirë t’i punësojnë personat me hendikap. Do të punojmë në trajnimin e tyre që të adaptohen dhe personat me hendikap të ndihen të barabartë me të gjithë punonjësit e tjerë brenda kompanisë”,- deklaroi Jadranka Arizankovksa nga Oda Ekonomike e Maqedonisë.                                  

Qendra për punësimin e të rinjve me hendikap është vendosur në hapësirat e Odës Ekonomike të Maqedonisë, ndërkohë kjo e fundit organizoi edhe takim me përfaqësuesit e kompanive për t’i njoftuar me përfitimet të cilat janë në dispozicion në drejtim të krijimit të fuqisë punëtore gjithëpërfshirëse dhe të shumëllojshme. (Rejhane Bushi-Metaj, TVM2)