MAQEDONI
Investime infrastrukturore në Kondovë të Sarajit
02.06.2014 18:01
Komuna e Sarajit ka përuruar sot asfaltimin e një rruge lokale në vendbanimin Kondovë....

Komuna e Sarajit ka përuruar sot asfaltimin e një rruge lokale në vendbanimin Kondovë. Kryetari i Komunës së Sarajit, Bekim Murati, tha se ky projekt ka qenë premtim i tij gjatë zgjedhjeve lokale dhe se punimet për asfaltimin e rrugës kanë filluar para zgjedhjeve parlamentare, por ata u ndërprenë për shkak të zgjedhjeve.
Asfaltimi i kësaj rruge bëhet me një projekt të Komunës nga Byroja për Zhvillim Rural dhe që kap vlerën prej 13 milion denarë, që do të shpenzohen për asfaltimin e rrugës në Kondovë dhe pjesës tjetër Gllumovë-Arnaqi.
“Ky investim kap vlerën prej 4 milion denarë dhe që e ka fituar Komuna e Sarajit nga Byroja për Zhvillim Rural dhe me këtë është mbyllur faza e parë e projektit. Gjatësia e rrugës është pesë qind metra, ndërsa gjerësia katër metra. Në fakt i gjithë projekti kap vlerën rreth 13 milion denarë dhe faza tjetër është asfaltimi i rrugës që lidh Gllumovën me Arnaqinë, që është në gjatësi prej 1,5 kilometër”, deklaroi kryetari i Komunës së Sarajit, Bekim Murati.
Banorët e kësaj lagje thonë se tani do ta kenë më të lehtë qarkullimin, pasi më parë rruga ka qenë e shkatërruar tërësisht.
Nga Komuna e Sarajit thonë se për këtë vit kanë aplikuar me disa projekte infrastrukturore në disa institucione vendore dhe të huaja, ku shpresojnë se nëse të gjitha projektet fitojnë, dukshëm do të ndikojnë në përmirësimin e kushteve jetësore në të gjitha vendbanimet e Komunës së Sarajit.
AFRIM TANALLARI
