Variçela, mjekët: Vaksinimi i domosdoshëm, ul numrin e të sëmurëve
Maqedonia duhet të mendojë seriozisht për fillimin e vaksinimit të fëmijëve nga variçela....

Maqedonia duhet të mendojë seriozisht për fillimin e vaksinimit të fëmijëve nga variçela, e njohur ndryshe si “lija e dhenve”.
Kjo sëmundje infektive nga viti në vit zgjerohet me përmasa të mëdha. Drejtuesja e Klinikës së Fëmijëve në Shkup, Anaspazia Sofijanova, thotë se është koha e duhur për të hapur debat publik për t’i vaksinuar fëmijët me “Variliks” kundër variçelës.
“Duke marrë parasysh rastet e shumta të variçelës, përhapjen e saj intensive në mesin e fëmijëve dhe të rriturve nëpër çerdhe dhe shkolla, duke e marrë parasysh dhe mungesën e shpeshtë të prindërve në punë, mendoj se është koha e mirë që për këtë sëmundje infektive të bëjmë vaksinimin e qytetarëve, i cili mund të japë rezultate të mira në mbrojtjen e popullatës”,- deklaroi drejtoresha e Klinikës së Fëmijëve, Anaspazija Sofijanova.
“Varileks” parandalon përhapjen e variçelës tek fëmijët dhe mbron edhe njerëzit që kanë kontakt me pacientët e sëmurë. Në Amerikë, Kanada, Slloveni dhe Kroaci tashmë një kohë të gjatë vaksinohen fëmijët mbi moshën trevjeçare. Kjo ka arritur të ulë dukshëm numrin e të prekurve. Mjekët në vend janë të mendimit se kjo gjë mund të kontribuojë dukshëm në uljen e numrit të të sëmurëve në Maqedoni.
“Kemi shkak që duhet filluar me vaksinimin e fëmijëve nga variçela sa më parë, sepse janë paraqitur shumë raste të tilla. Gjeneratat e viteve 80, 84 dhe 85 nuk kanë qenë të vaksinuar nga variçela, e tani janë nëna të reja dhe kemi pasur raste kur ato janë sëmurë nga fëmijët e tyre të prekur nga variçela. Nuk ka dyshim se duhet vaksinimi, sepse atëherë edhe simptomat do të ishin më të vogla dhe më pak të shprehura tek te pacientët dhe do të ishin imunitet i përjetshëm mbrojtës nga variçela”,- u shpreh mjekja, Sefjane Bellçishta.
Për shkak të motit të ndryshueshëm, këtë vit “lija e dhenve” përhapet me intensitet të madh në vend edhe pse mjekët thonë se nuk është periudha kohore për këtë. Variçela ose lija e dhenve para shpërthimit të puçrrave manifestohet me temperaturë të lartë tek fëmijët dhe në të shumtën e rasteve e njëjta nuk lë pasoja në shëndetin e tyre. (Rexhep Qamili, TVM2)
