Kuvendi zgjedh zëvendësministrat, Zaev: Kandidatët janë profesionistë, VMRO janë të dobët
Kuvendi votoi propozimin e kryeministrit, Zoran Zaev....

Kuvendi votoi propozimin e kryeministrit, Zoran Zaev, për zëvendësit e ministrave në Qeverinë e RM-së.
Kryeministri, Zoran Zaev, gjatë prezantimit të kandidatëve për zëvendësministra tha se biografitë e tyre janë para deputetëve dhe opinionit publik mbi një javë dhe se kandidatët janë profesionistë dhe ekspertë.
“Po e lëvizim fushën e veprimit të pushtetit ekzekutiv në dy binarë, njëri është në drejtim të zbatimit të reformave dhe tjetri në drejtim të përmirësimit të standardit të qytetarëve. Ndërtuam strategji për ndarje të barabartë të detyrave të të gjithë funksionarëve të cilët duhet të jenë servis i qytetarëve. Njerëzit që janë propozuar këtu e dinë se do të marrin detyrë të përgjegjshme që të zbatojnë detyra sipas ligjit dhe kushtetutës për të përmirësuar jetën e gjithë qytetarëve në Maqedoni”,- deklaroi kryeministri, Zoran Zaev.
Mirëpo, VMRO-DPMNE-ja opozitare gjeti dobësi të shumë kandidatë për zëvendësministër. Shigjetat janë drejtuar posaçërisht kundër kandidates për zëvendësministre në Ministrinë e Jashtme, Arta Toçit, nga radhët e Aleancës për Shqiptarët. Deputeti i VMR-DPMNE-së, Antonio Milloshoski, tha se ka “dyshime të thella” për Toçin, për shkak të qëndrimeve të saj në punimet e saj shkencore, që kanë të bëjnë me integritetin territorial të Maqedonisë.
“Për zëvendësministre është zgjedhur kandidatja, Arta Toçi. Ne në ditët e fundit pamë shumë lëvizje kontroverse që kanë të bëjnë me punët e jashtme. Ende janë qëndrimet e Toçit në punët shkencore se Maqedonia perëndimore duhej t’i përkiste Shqipërisë. A është Arta Toçi e denjë që të jetë zëvendësministre e Punëve të Jashtme, kur shtetin që duhet ta përfaqësojë në punimin e saj shkencor e quan FYROM?”,- tha Antonio Milloshoski nga VMRO-DPMNE.
Deputetët e VMRO-së përpiqen të bëjnë recensentin, reagoi deputeti i BDI-së, Xhevat Ademi. Sipas tij, deputetët e VMRO-së janë peng i stereotipave që kanë ndërtuar vetë.
“Nëse Maqedonia, qytetarët e saj, kanë nevojë për diçka, kjo është heqja e stereotipave. Sipas filozofisë së re që promovohet nga qeveria e re, ka shumë mundësi që të mënjanohem stereotipat. Më vjen keq për ju të VMRO DPMNE-së. Disa kolegë maqedonas të VMRO-së po përpiqen të bëjnë punën e recensentit për punime shkencore. E mbështes punën e kryeministrit Zaev për atë që ka bërë deri tani, edhe pse është herët”,- u shpreh Xhevat Ademi nga BDI.
Zëvendësministra në qeverinë e re do të jenë: Bekim Maksuti, Agim Nuhiu, Oliver Ristovski, Arta Toçi, Shirete Elezi, Kire Naumov, Vllaste Dimkoviq, Goce Çakaroski, Visar Gani, Elmi Aziri, Dejan Pavleski, Vlladimir Llazovski, Aleksandër Bajdevski, Remzi Mehmedi dhe Jani Makraduli. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
