MAQEDONI

Për hidrocentralet e vogla aplikuan 49 kompani

02.06.2014 18:04

Sot u bë edhe hapja e ofertave për ndërtimin e hidrocentraleve të vogla në 80 lokacionet...

Sot u bë edhe hapja e ofertave për ndërtimin e hidrocentraleve të vogla në 80 lokacionet për të cilat disa muaj më herët Qeveria bëri edhe thirrje publike. Siç ka njoftuar ministri i Ekologjisë, Abdilaqim Ademi, këtë herë interesi është më i madh, ndërsa kanë aplikuar 49 kompani.
 
“Shpresoj që interesi të jetë për të gjithë lokacionet. Ka një interes më të madh se herët e tjera, kjo edhe për faktin se Qeveria para se të hapet kjo thirrje publike, ndryshoi edhe disa vendime veçanërisht sa i takon taksave, por gjithashtu edhe disa vendime që i bën më atraktive këto lokacione”, deklaroi ministri i Ekologjisë, Abdilaqim Ademi.
 
Ministri Ademi ka shtuat se nëse do të realizohet i gjithë ky projekt, prodhimi i energjisë elektrike do të shtohet për 64 megavat dhe ndikimi i tyre do të jetë i shumanshëm. 
 
“Me këtë sigurisht që ndikimi do të jetë jo vetëm në shfrytëzimin e ujërave, por edhe në ambientin jetësor, sepse çdo sasi e energjisë elektrike që prodhohet nëpërmjet këtyre burimeve, do të thotë edhe reduktim i gazrave të dëmshëm në atmosferë, do të thotë edhe reduktim i energjisë që prodhohet nëpërmjet thëngjillit ose resurseve tjera që e dëmtojnë ambientin”, theksoi ministri Ademi.
 
Kompanitë fituese do të marrin koncesionin për periudhën 23 vjeçare, nga e cila 3 vite për ndërtim dhe 20 vite koncesion për shfrytëzimin e ujit në pajtueshmëri me Ligjin për Ujëra dhe Ligjin për Koncesione dhe Partneritet Publiko-privat. 
 
Para disa muajsh, Qeveria e Maqedonisë përmes Ministrisë për Mjedisin Jetësor dhe Planifikim Hapësinor, bëri thirrje publike për ndarjen e koncesioneve për shfrytëzimin e ujit për prodhimin e energjisë elektrike për 80 hidrocentrale, në modelin projektim të ndërtimit, operimit dhe bartjen e pellgjeve të lumenjve Vardar, Treska, Bregallnicë, Strumicë dhe Drini i Zi.
 
MEFAIL ISMAILI