Prokuroria Speciale vazhdon punën, Janeva: Javën që vjen dalim me akuza të reja

23.06.2017 13:04

Kryeprokurorja speciale, Katica Janeva, për javën e ardhshme ka paralajmëruar...

Kryeprokurorja speciale, Katica Janeva, për javën e ardhshme ka paralajmëruar aktakuza të reja për një pjesë të rasteve të Prokurorisë Speciale Publike.

Në mesin e të akuzuarve potencialë, siç njofton  Janeva, ka funksionarë të lartë dhe njerëz të njohur publikë që kanë pasur funksione të caktuara nga vitit 2008 deri në vitin 2015, periudha e cila përfshin përgjimin e paligjshëm. Ajo shpreson që gjykatat do të marrin parasysh aktakuzën dhe dëshmitë e PSP-së përpara se t’i miratojnë vendimet përfundimtare për rastet të cilat duhet të kenë fund gjyqësor. Janeva potencon se Gjykata është vendi ku duhet të kryqëzohen argumentet e mbrojtjes dhe prokurorisë.

“Shumica e rasteve që janë kryer nga PSP pres që të përfundojnë me aktakuza. Për disa do të ketë ndalim të hetimit dhe hedhje poshtë të akuzës, për disa do të ngrihet aktakuzë, por në çdo rast javën e ardhshme do të miratohen vendimet publike  të prokurorisë”- deklaroi kryeprokurorja speciale, Katica Janeva.

E pyetur për afatet për ngritjen e akuzave, Janeva u shpreh optimiste për ndryshimet e nevojshme ligjore, por tha se kanë ende shumë punë pasi deri tani janë dëgjuar vetëm 50% e “bombave” dhe ju duhet ende më shumë kohë për të vazhduar me kontrollimin e materialeve të tjera. Ajo gjithashtu paralajmëroi se edhe më tej do të vazhdojnë me punën e tyre, pasi që më 30 qershor mbaron afati për ngritjen e aktakuzave dhe jo mandati i prokurorëve, që është katër vjet me mundësi për të vazhduar një vit.

“Sa i përket afatit për ngritjen e akuzave, ai është diskutabil. Po bisedohet në këtë temë dhe besoj se gjatë periudhës së ardhshme, në afat sa më të shkurtë, do të gjendet zgjidhje. Gjatë periudhës së ardhshme do hapim hetime për biseda tjera të përgjuara e që përmbajnë materiale kriminale”,- u shpreh kryeprokurorja speciale, Katica Janeva.           

Janeva njoftoi se deri më tani vetëm 12% e materialeve janë përpunuar, ndërsa 45% prej tyre vetëm se janë dëgjuar, ndërkaq pjesa tjetër mbetet e papërpunuar akoma. Ajo sqaron se bëhet fjale për përgjime të shumë gazetarëve në gjuhë të ndryshme dhe kjo pjesë do të fillojë të përpunohet pas 15 shtatorit. (Florije Beluli-Kamberi, TVM2)