Sanksionet amerikane ndaj Rusisë, Lavrov: Kërcënojnë seriozisht marrëdhëniet tona
Shefi rus i diplomacisë, Sergei Lavrov, dënoi sot sanksionet e reja amerikane kundër Rusisë....

Shefi rus i diplomacisë, Sergei Lavrov, dënoi sot sanksionet e reja amerikane kundër Rusisë, duke vlerësuar se ato kërcënojnë seriozisht marrëdhëniet mes Moskës dhe Uashingtonit.
“Ky lloj veprimi kërcënon seriozisht marrëdhëniet ruso-amerikane, që janë duke u përballur me një periudhë të vështirë”,- deklaroi ministri rus në një komunikatë të publikuar nga Ministria ruse e Punëve të Jashtme në përfundim të një bisede telefonike me sekretarin amerikan të Shtetit, Rex Tillerson.
“Këto sanksione janë përpjekje të kota për të bërë presion mbi Rusinë”,- gjykoi Lavrov, që konfirmoi anulimin e një takimi të parashikuar këtë javë në Shën Peterburg mes Tom Shannon, një përgjegjës i lartë i departamentit të Shtetit dhe zëvendësministrit rus të Punëve të Jashtme, Sergei Riabkov, të njoftuar të mërkurën në mbrëmje nga Uashingtoni.
Marrëdhëniet mes Rusisë dhe ShBA-së janë në nivelet më të ulëta që prej përforcimit nga Uashingtoni i sanksioneve kundër Moskës për rolin e saj në krizën ukrainase.
