MAQEDONI

Pavarësohet shkolla e mesme e mjekësisë në Gostivar

02.06.2014 18:14

Shkolla e mesme komunale e Mjekësisë në qytetin e Gostivarit...

Shkolla e mesme komunale e Mjekësisë në qytetin e Gostivarit, sot mori statusin e mëvetësimit si shkollë e mesme publike në qytet.
 
Në prani të një numri të madh nxënësish e mësimdhënësish të kësaj shkolle, drejtorë institucionesh të qytetit, kryetarit të Komunës së Gostivarit së bashku me drejtorin e kësaj shkolle, bënë hapjen solemne të pavarësimit të shkollës së mesme komunale të mjekësisë në Gostivar, e cila këtë status e fitoi pas 10 viteve si paralele e disperzuar e shkollës se mesme të Mjekësisë në Tetovë dhe pastaj gjimnazit të qytetit.
 
Nga ana e tij, kryetari i Gostivarit, Nevzat Bejta, duke i uruar për pavarësimin e shkollës, para të pranishmëve theksoi angazhimin e tij personal në drejtim të hapjes dhe pavarësimit të kësaj shkolle në Gostivar.
 
Në fund të këtij solemniteti, kryetari Bejta së bashku me drejtorin e shkollës, Agron Alili, ndanë edhe mirënjohje për kompanitë nga Gostivari që kanë dhënë kontribut në rregullimin e hyrjes së shkollës së mesme të Mjekësisë në Gostivar, ndërsa më pastaj, së bashku me pedagogët e shkollës, nxënësit dhe mysafirët e pranishëm, kanë vizituar edhe hapësirat e brendshme të kësaj shkolle.
 
LULZIM HAZIRI