Plan aksional për zbatimin e reformave, Zaev: Në fund të vitit, rekomandim pa kusht, Osmani: Koha për t’i bërë ne detyrat e shtëpisë

23.06.2017 16:25

Qeveria, nëpërmjet një plani-aksional konkret....

Qeveria, nëpërmjet një plani-aksional konkret, do të zbatojë reformat me prioritet që kanë për qëllim afrimin e vendit drejt strukturave euroatlantike.

Kryeministri, Zoran Zaev, duke debatuar mbi reformat prioritare së bashku me sektorin civil, tha se pret që deri në fund të vitit Maqedonia të marrë rekomandim pa kusht, ndërsa gjatë vitit të ardhshëm datë për çeljen e negociatave. Ai tha se vendit nuk i mungon përkrahja e BE-së, por duhet përmbushur obligimet.

Zaev kërkoi mbështetje për procesin e reformave, ndërsa paralajmëroi proces inkluziv ku do të kyçen të gjithë aktorët shoqërorë.

“Qëllimi i qeverisë është që deri në fund të vitit RM të marrë rekomandim të pastër për fillim të negociatave me BE-në, ndërsa vitin e ardhshëm të marrim edhe datë për fillimin e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë në BE. Reformat në të cilat do të punojmë janë reale dhe të realizueshme. Ato janë reformat prioritare të cilat burojnë nga raporti i grupit të ekspertëve të Komisionit Europian, të udhëhequr nga Pribe dhe nga raportet e KE-së për anëtarësimin e Maqedonisë në BE. E kemi mbështetjen e partnerëve tanë në BE, atë që do ta punojmë për eurointegrimet do të jetë rezultat edhe për integrimin tonë në NATO, e cila sërish ka hapur dyert për Maqedoninë.”,- deklaroi kryeministri, Zoran Zaev.

Është koha që ne t’i bëjmë detyrat e shtëpisë dhe të realizojmë të gjitha reformat prioritare për të treguar përkushtimin tonë për integrim në BE dhe NATO, tha zëvendëskryeministri, Bujar Osmani.

“Këto tema kryesore, veçanërisht organizimi i zgjedhjeve fer dhe kredibile që në tetor, e këto janë zgjedhjet lokale, do të jenë sinjali i parë se sa është e përkushtuar qeveria në realizimin e këtyre reformave, andaj ne do t’i adresojmë në mënyrë agresive të gjitha këto aspekte, sundimin e ligjit nëpërmjet të gjitha masave të cilat duhet të ndërmerren në reformën e sistemit gjyqësor, në reformën e sistemit të inteligjencës, mediat, sektorin e financimit të administratës publike, mbylljen e Marrëveshjes së Ohrit në këtë drejtim, duke sjellë edhe ligjin e fundit që del nga MO, ai është Ligji për përdorimin e gjuhës shqipe”,- tha zëvendëskryeministri, Bujar Osmani.

Sundimi i së drejtës, reformat në administratë, zgjedhjet, Kuvendi, trupat e pavarur rregullatorë si dhe mediat janë fushat në të cilat do të punojnë grupe të caktuar të punës me qëllim të përgatitjes së planit sipas të cilit duhet të punojë Qeveria. (Naim Ramadani, TVM2)