MPPS: Strategji për siguri dhe shëndet gjatë punës “20-20”
Ministria për Punë dhe Politikë Sociale dhe Këshilli për Siguri dhe Shëndet në punë....

Ministria për Punë dhe Politikë Sociale dhe Këshilli për Siguri dhe Shëndet në punë, kanë përpiluar strategjinë nacionale për siguri dhe shëndet në punë “20-20”. Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Milla Carovska, tha se ky dokument është mjaft i rëndësishëm dhe duhet të shqyrtohet nga të gjitha palët e prekura, përkatësisht sindikatat, shoqatat, Inspektorati Shtetëror dhe Ministria e Shëndetësisë.
“Kjo strategji është kyçe, jo vetëm që ka nevojë për kushte më të sigurta dhe më humane, por duhet patjetër që t’i harmonizojmë standardet tona me ato evropiane dhe ky është qëllimi që ne po përgatitemi. Në këtë strategji propozimet që janë ofruar janë të përshtatshme, vetëm me diskutime shtesë do të kemi një strategji më të mirë dhe do t’i marrim obligimet që të punojmë drejt implementimit të saj”,- tha ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Mila Carovska.
TARAVARI: MBËSHTETJE TË DREJTAVE TË PUNËTORËVE
Edhe ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, tha se përkrah projektin i cili avancon të drejtat e punëtorëve në aspektin shëndetësor.
“Ne si Ministri e Shëndetësisë do të japim maksimumin tonë për ta suportuar implementimin e strategjisë 2020. Shpresoj të kryhet ashtu si duhet dhe të avancohen të drejtat e punëtorëve, sepse deri tani ato janë të drejtat elementare të çdo punëtori, por edhe qytetari të Maqedonisë”,- u shpreh ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari.
PETKOSKI: PUNËDHËNËSIT DHE PUNËTORËT TË NJIHEN ME TË DREJTAT DHE OBLIGIMET
Ndërsa nga Shoqata e për Siguri dhe Mbrojtje të Punëtorëve në Punë theksojnë se një numër i madh i punëtorëve nuk kanë dijeni se ku të drejtohen për të drejtat ne aspektin e sigurisë në punë.
“Numri i punëtorëve është shumë i madh, të cilët nuk janë në dijeni për të drejtat e tyre për siguri në punë. Në hulumtimin e bërë punëtorët nuk e kanë ditur se ku të kërkojnë apo ku të drejtohen për informacione lidhur me sigurinë dhe në aspektin shëndetësor në punë”,- tha Milan Petkoski nga Shoqata për Siguri në Punë.
Njëherit u theksua se shumë punëdhënës nuk janë të informuar sa duhet për pasojat ligjore për shkeljen e të drejtave të punëtorëve. (Rejhane Bushi-Metaj, TVM2)
