Ligji për reforma në media para deputetëve, priten ndryshime thelbësore në sferën mediale
Nga java e ardhshme para deputetëve do të gjendet Ligji për reforma në sferën e mediave...

Nga java e ardhshme para deputetëve do të gjendet Ligji për reforma në sferën e mediave. Kjo do t’i kumtohet edhe eurokomisarit, Johanes Han, i cili do të informohet se ky ligj duhet të sjellë ndryshime thelbësore në sferën mediale.
Nga Instituti Maqedonas i Mediave presin që ky ligj dukshëm të përmirësojë ambientin medial.
“Një nga masat kyçe është që RTVM të mos jetë më pjesë e kulaçit komercial në treg ku ndahen reklamat, por ajo të financohet nga shteti. Kjo do të ndikojë që Servisi Publik t’i ndjek të gjitha standardet dhe nevojat e qytetarëve në përmbajtjen programore dhe të lirojë hapësirën për radiodifuzerët privatë, dhe në pajtueshmëri me rejtingun e tyre dhe besimin e qytetarëve të realizojnë të ardhura në treg”,- deklaroi ministri pa resor, Robert Popovski.
Sipas ambasadorit të BE-së në Maqedoni, Samuel Zhbogar, biznesi i mediave ka dy qëllime: njëri është që të realizojë profit si ndërmarrje dhe tjetri është informimi objektiv.
“Informimi objektiv është tejet i rëndësishëm dhe bie në rregullativat ligjore për konkurrencë mediale, të drejtat e njeriut dhe ka përgjegjësi për gjuhën e urrejtjes. Me rëndësi është financimi i medias të jetë transparent dhe rregullatori të ketë autorizim, kapacitet dhe mjete për të ruajtur pavarësinë dhe profesionalizmin”,- u shpreh ambasadori i BE-së në Maqedoni, Samule Zhbogar.
Nëse arrihet që rregullativa ligjore të jetë korrekte, atëherë nuk do të ketë nevojë për procese gjyqësore për shpifje dhe fyerje, dhe vetë profesioni i gazetarisë do të lirohet nga joprofesionalizmi, u vlerësua në debatin e Institutit Maqedonas për Media. (Flutura Latifi, TVM2)
