Brende: Zhvilloni inkluzivitetin dhe demokracinë, Dimitrov: Ka potencial për ta zhvilluar bashkëpunimin

23.06.2017 17:23

Norvegjia e mbështet pranimin e Maqedonisë në NATO dhe BE...

Norvegjia e mbështet pranimin e Maqedonisë në NATO dhe BE, dhe është e gatshme t'i ndihmojë në këtë proces.

Edhe pse e ka tërhequr ambasadën e saj që nga viti 2012, Norvegjia vazhdon të mbajë marrëdhënie të mira me Maqedoninë dhe mbështet aspiratat e Qeverisë për anëtarësim në organizatat euroatlantike. Ministri norvegjez i Punëve të Jashtme, Borge Brende, pas takimit të sotëm me shefin e diplomacisë, Nikolla Dimitrov, sugjeroi inkluzion dhe debat gjithëpërfshirës parlamentar.

“Po i shqyrtojmë të gjitha mundësitë për intensifikim të partneritetit tonë me Maqedoninë. Planifikojmë të dyfishojmë përpjekjet për këtë qëllim që t’i japim mbështetje Maqedonisë në aspiratat e saj euroatlantike. Qeveria e kaluar e mbylli ambasadën në vitin 2012 dhe këtë çështje do ta kemi, gjithmonë, parasysh në kontekste të zhvillimit të raporteve tona, duke marrë parasysh edhe zhvillimin e Maqedonisë”,- deklaroi ministri i Jashtëm i Norvegjisë, Borge Brende.

Maqedonia pret nga Norvegjia mbështetje të plotë për anëtarësim në NATO dhe BE, dhe zhvillim të bashkëpunimit dypalësh në të gjitha fushat.

"Kjo është vizita e parë e një ministri të Punëve të Jashtme në Norvegji pas gjashtë vitesh. Paraardhësi i tij ka qenë këtu në vitin 2011. Kemi biseduar për marrëdhëniet midis dy vendeve, të cilat janë të afërta dhe miqësore. Vitin e ardhshëm i mbushim 25 vjet marrëdhënie diplomatike dhe ka potencial këtë ta zhvillojmë në shumë sfera. Ia prezantova prioritetet e qeverisë së re reformatore edhe në pjesën e integrimit në BE dhe NATO edhe në pjesën e marrëdhënieve me fqinjët",- theksoi ministri i Jashtëm, Nikolla Dimitrov.

Dimitrov ka njoftuar ministrin Brende edhe për atë që bëhet për ndërtimin e institucioneve të fuqishme, funksionimin e shtetit ligjor dhe media të lira.

Në kuadër të vizitës zyrtare, ministri norvegjez u prit edhe nga presidenti, Gjorge Ivanov, nga kryeministri, Zoran Zaev, dhe kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi. (Shpëtim Nuredini, TVM2)