MAQEDONI
Testimi me vonesa disa minutëshe dhe pengesa teknike
02.06.2014 18:19
Procesi i realizimit të testimit ekstern u zhvillua sot sipas rregullave të parapara nga Ministria e Arsimit...

Procesi i realizimit të testimit ekstern u zhvillua sot sipas rregullave të parapara nga Ministria e Arsimit, pa probleme të mëdha, përveç disa problemeve të vogla me rrjetin e internetit apo disa lëshimeve teknike që shkaktuan vonesa në fillimin e testimit, thonë administratorët dhe arsimtarët e shkollave të kryeqendrës, “Hasan Prishtina” dhe “Petar Zdravkovsk-Penko”.
“Në mëngjes kishim probleme me sinkronizimin e kompjuterëve, nuk sinkronizoheshin me serverin të gjithë kompjuterët. Më pas testimet më ngadalë aktivizoheshin, pasi kishte problem me internetin. Do të thotë u vonua fillimi i testimit, por më pas filloi dhe tani po realizohet normalisht”, deklaroi administratorja në shkollën fillore “Penko”, Anita Angellova.
“Pat mjaftë pyetje abstrakte, me angazhimin tonë të arsimtarëve dhe kolegëve të të tjerave shkolla, disa nga lënda e gjeografisë, në të tetat nëntë vjeçare u pastruan më se 20 pyetje dhe mendoj se përsëri pa përdorimin e atlasit gjeografik ka mjaft pyetje që janë abstrakte jo për nxënës, por edhe për ne arsimtarët e lëndës”, theksoi arsimtari i gjeografisë në sh. f. “Penko”, Fadil Sulejmani.
Edhe drejtorët e shkollave fillore “Hasan Prishtina” dhe “Petar Zdravkovski- Penko” thonë se ka pasur disa pengesa teknike, por këtë vit nuk janë përsëritur lëshimet e vitit të kaluar.
“Nga ana e arsimtarëve që ishin të angazhuar si testorë për ndjekjen e procesit të testimit ekstern, dolën disa vërejtje lidhur me pyetjet e dhëna për nxënësit, d. m. th. kishim vërejtje lidhur me atë se kishte pyetje ku nuk kishte përgjigje adekuate, kishte pyetje të cilat te i njëjti nxënës përsëriteshin, po ashtu kishte vërejtje me atë që nuk kishte përgjigje të saktë lidhur me pyetjen e dhënë, kishte edhe pyetje të dhënë në gjuhën maqedonase”, potencoi drejtoresha e shkollës “Hasan Prishtina”, Lulieta Qerimi.
“Problemet e vitit të kaluar këtë vit nuk i kemi, gjithçka është në rregull”, u shpreh drejtori e sh. f. “Penko”, Enis Memeti.
Nxënësit, të cilët iu nënshtruan sot testimit, thanë se meqë pyetjet ishin publikuar më parë, kishin pasur kohë për t’u përgatitur dhe testimi nuk ishte i vështirë për ta, por në disa lëndë ishin vërejtur lëshime.
Të pyetur se a kishte gabime në pyetje, a hasën ata ndonjë problem, apo se sa ishte i vështirë testi, nxënësit dhanë këto përgjigje:
“Jo s’kishte, krejt prej materialit”, tha një nxënëse.
“Përafërsisht po kishte”, u shpreh një nxënëse tjetër.
“Mirë kalova, i mësova pyetjet”, theksoi një nxënës.
“Jo asnjë pyetje nuk ka qenë e vështirë, krejt ishin në rregull”, potencoi një tjetër nxënës.
“Jo gjithçka ishte në rregull nuk ishin edhe aq pyetjet e vështira”, tha një nxënëse.
“Mirë, nuk ishte edhe aq vështirë”, theksoi një nxënës.
Më 28 maj janë publikuar oraret se në cilën datë nxënësit do t’i nënshtrohen testimit. Oraret bashkë me lëndën në të cilën do të testohen, do të publikohen çdo ditë, gjegjësisht tri ditë para çdo testimi.
VLORA LATIFI-TOPOJANI
