“Brima Galup”- ndryshon barometri politik, LSDM para VMRO-së, BDI udhëheq tek shqiptarët

23.06.2017 17:52

Pas zgjedhjes së ekzekutivit të ri, ka ndryshuar besueshmëria e qytetarëve....

Pas zgjedhjes së ekzekutivit të ri, ka ndryshuar besueshmëria e qytetarëve në bllokun politik maqedonas.

Barometri i ri politik i “Brima Galup” tregon se tashmë LSDM-ja udhëheq me 22,4 për qind të mbështetjes, ndërsa VMRO-DPMNE-në tani e mbështesin 19,8 për qind të votuesve. Ndarë etnikisht, VMRO vazhdon të ketë epërsi prej 0.9%, por  epërsia e përgjithshme e LSDM-së vjen si pasojë e mbështetjes prej  6,3 % nga shqiptarët etnikë dhe 29,4% nga komunitetet e tjera etnike",- theksohet në raport.

Në elektoratin e përgjithshëm, BDI sipas anketës ka mbështetje prej 7,3% të elektoratit, ndërsa Lëvizja BESA dhe Lëvizja për reforma në PDSh ka 4,3%. Ndërsa tek shqiptarët etnikë, BDI-ja edhe më tej mban epërsinë me 26,6% të besueshmërisë, Lëvizjen BESA mbështetet nga 15,8% dhe Lëvizja për reforma në PDSh nga 15,5% e elektoratit shqiptar. Gjithsesi ende ka një numër të madh të papërcaktuarish apo 17.7%.

Ka ndryshuar edhe rejtingu i politikanëve. Të ndarë në bazë etnike, Zaev ka mbështetje prej 20,9% të maqedonasve,  ndërsa Gruevski prej 18%. Në bllokun politik shqiptar, 23,8% i besojnë liderit të BDI-së, Ali Ahmetit, 15,9% liderit të LR-PDSh-së, Ziadin Sela, dhe 13.9% liderit të Lëvizjes BESA, Bilall Kasamit. Por, vërehet se 29,8% e të anketuarve nuk kanë besim te asnjë politikan.

Në pyetjen se kujt nuk i besojnë, shqiptarët më shumë nuk i besojnë ish-kryeministrit Gruevski, për të cilin negativisht janë shprehur 25,6% e të anketuarve, ndërsa negativisht për Zaevin mendojnë vetëm 0,3%.

Hulumtimi i “Brima Galup” është zhvilluar në terren nga 2 deri më 12 qershor me 1,193 qytetarë mbi 18 vjet. Intervistat janë zhvilluar drejtpërdrejt me të anketuarit në shtëpitë e tyre, në të 8 rajonet e vendit, me përfaqësim të gjinisë, moshës dhe etnitetit, sipas metodës TAPI, me margjinë gabimi  plus - minus 2,84% në nivel të besimit prej 95 për qind, thonë nga “Brima Gallup”.