Kryqi i Kuq u ndan pako fëmijëve në prag të festes së Bajramit
Në prag të festës së madhe të myslimanëve, Bajramit të Madh....

Në prag të festës së madhe të myslimanëve, Bajramit të Madh, Kryqi i Kuq i Shkupit në bashkëpunim me Qendrën Tregtare "City Mall", ka nisur një aktivitet për të mbështetur fëmijët me aftësi të kufizuara dhe fëmijët që vijnë nga familjet e rrezikuara sociale dhe familjeve në rreziqe të tjera.
Alexandra Vallkanovska nga Kryqi i Kuq i Shkupit tha se me Shoqatën “Shpresa” - Shkup dhe Fondacionin “Albiz”, kanë arritur bashkëpunim për të marrë listat dhe të dhënat për fëmijët të cilët janë anëtarë të kësaj shoqate dhe fondacioni, dhe të kontaktojnë me ta.
"Në të kaluarën këtu në “City Mall” u vendos kjo pemë, ose lule e bukur, që është pas meje, ku u vendosën dëshirat e fëmijëve në pritje të festës",- tha Vallkanovska, duke informuar se për këtë aksion kanë kontribuuar të gjithë qytetarët humanë, si dhe kompani të mëdha.
Vallkanovska njoftoi se sot në këtë ngjarje të mbajtur në Këndin për Fëmijë "Imaginarium", në Qendrën Tregtare "City Mall" në Shkup, të pranishëm ishin më shumë se 40 fëmijë të cilëve u janë plotësuar dëshirat dhe kishin ardhur për t'i marrë dhuratat e tyre, të gëzohen dhe të shoqërohen me vullnetarët e Kryqit të Kuq.
"Bëhet fjalë për dëshira të ndryshme, duke filluar nga biçikleta, tableta, pajisje mobile, rroba, shumë lodra, konkretisht gjithçka që një fëmijë do të dëshironte për veten në prag të festës",- theksoi Vallkanovska.
Gjithashtu, Vallkanovka bëri të ditur se ky është aksioni i parë me rastin e festës së Bajramit të Madh. Ajo shtoi se Kryqi i Kuq organizon edhe aktivitete të tjera në pritje të Vitit të Ri dhe në prag të festës së Pashkëve. Vallkanovska shtoi se “jetojmë në një shoqëri multikulturore dhe të përzier, ku duhet të jemi humanë, solidarë dhe të ndihmojmë njëri-tjetrin”.
Ajo shprehu mirënjohjen për të gjithë ata që kanë dhënë kontribut për zbatimin e këtij aksioni. (Farije Dauti-Bakiju, TVM2)
