Han, të hënën në Maqedoni për të nxitur reformat
Eurokomisari, Johanes Han, sipas paralajmërimeve...

Eurokomisari, Johanes Han, sipas paralajmërimeve, të hënën do ta vizitojë Maqedonisë për t’u njoftuar me planet për reforma të Qeverisë së re, si dhe ta përsërisë përkrahjen e BE-së për zbatimin e reformave të domosdoshme, për afrimin e vendit me BE-në.
Sipas një kumtese të lëshuar sot nga Komisioni Evropian, është paraparë që Han gjatë vizitës në Shkup të takohet me kryeministrin, Zoran Zaev, dhe përfaqësues të tjerë të Qeverisë si dhe me liderët politikë.
Në deklaratën para vizitës në Maqedoni, Han potencoi se e viziton Maqedoninë që të japë nxitje për zbatimin e reformave që Brukseli pret të zbatohen në afat të shpejtë, e me qëllim që vendi të kthehet në rrugën e integrimit evropian.
"Me përkrahjen e kontinuar të Bashkimit Evropian, vendi më në fund e tejkaloi krizën politike përmes zgjedhjeve mirë të administruara dhe formimit të qeverisë së re. Tani, Qeveria e re, së bashku me opozitën, duhet të përqendrohet në zbatimin e prioriteteve urgjente reformuese dhe në zbatimin e tërësishëm të Marrëveshjes së Përzhinës, me qëllim që të kthehet vendi në rrugën drejt integrimit në BE. Reformat duhet të bëhen që të përmirësohen jetët e njerëzve, të punohet për stabilitet, prosperitet dhe drejtësi. Grupi i obliguar i ekspertëve të lartë të pavarur për sundimin e së drejtës, i udhëhequr nga Rajnhard Pribe, është veç më në vend që t'i ndihmojë dhe ta këshillojë Qeverinë e re për çështje të sundimit sistematik të së drejtës”,- deklaroi komisari Han para ardhjes së tij në Maqedoni.
Por, eksperti evropian, Rajhard Pribe, i cili erdhi në Maqedoni dy ditë më herët, ka marrë pjesë në një leksion para pjesëmarrësve të shkollës së Ohrit mbi të drejtën natyrore. Por, Pribe nuk dha deklarata politike.
