Tiranë, sonte në mesnatë përmbyllet fushata
Në Shqipëri, sonte në mesnatë përmbyllet fushata për zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit.....

Në Shqipëri, sonte në mesnatë përmbyllet fushata për zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit. Gjatë 30 ditëve të fushatës, 18 parti dhe koalicione kërkuan votën e qytetarëve për të qeverisur në 4 vitet e ardhshme.
PS aktualisht në pushtet ka vendosur ta mbyll fushatën në Vlorë, ku kandidon edhe kreu i saj, Edi Rama. PD-ja opozitare ka zgjedhur Sheshin “Nënë Tereza” në Tiranë. Ndërsa LSI, aleate e deritanishme e PS-së, ka zgjedhur Fierin. Pretendime kanë në këto zgjedhjeve edhe PDIU, parti e komunitetit çam, si dhe dy partitë e reja Sfida për Shqipërinë dhe LIBRA. Por, kush do të ulet në 140 ulëset e Kuvendit shqiptar vendos sovrani më 25 qershor. Sistemi i zgjedhjeve në Shqipëri është proporcional i ndarë në 12 qarqeve të vendit.
Në zgjedhje janë ftuar të votojnë rreth 3.452.000 shtetas, 136 mijë prej të cilëve do të votojnë për herë të parë. Në të gjithë vendin po ngrihen 5362 qendra votimi. KQZ ka shtypur rreth 3.5 milionë fleta votimi, si dhe fletët e votimit për zgjedhjet e parakohshme bashkiake në Kavajë. Në këtë bashki konkurrojnë kandidatët e PS-së, PD-së dhe LSI-së.
KQZ bëri me dije se më 25 qershor ka akredituar gjithsej 5180 vëzhgues, numri më i madh i vëzhguesve në zgjedhjet e zhvilluara ndonjëherë në Shqipëri. Mjaft prej tyre janë vëzhgues të huaj. Këta të fundit do të paraqesin deklaratën e tyre paraprake pas zgjedhjeve në një konferencë për shtyp, të hënën më 26 qershor, në Tiranë.
Autoritetet shqiptare shpresojnë që ecuria e mirë e zgjedhjeve të 25 qershorit, zhvillimi i tyre sipas standardeve europiane dhe të pranuara nga të gjithë, të çojë në hapjen e negociatave mes BE-së dhe Shqipërisë, ç’ka do të ndikojë në integrimin e shpejtë të vendit në Europë.
