MAQEDONI

Debat: Regjistrimi nuk duhet parë nga këndvështrimi politik

02.06.2014 18:23

Mosrealizimi i regjistrimit të popullatës në Maqedoni vazhdon të shkaktojë probleme serioze në zhvillimin...

Mosrealizimi i regjistrimit të popullatës në Maqedoni vazhdon të shkaktojë probleme serioze në zhvillimin e mëtejshëm të vendit si në aspektin ekonomik ashtu edhe në atë demokratik dhe shoqëror.
 
Kështu u theksua gjatë një debati në Tetovë të organizuar nga sektori joqeveritarë. Biljana Bejkova nga OJQ “Info Qendra” theksoi se regjistrimi është mjaft i rëndësishëm për krijimin e politikave më efikase për zhvillimin e vendit.
 
“Pa regjistrim Maqedonia realizon politika jo të rëndësishme dhe joefikase, do me thënë nuk mund të planifikoni zhvillim ekonomik dhe regjional ose infrastrukturor, politika arsimore, politika shëndetësore dhe politika tjera dhe kështu nuk mund të planifikohen në mënyra efikase dhe të dihet se kur ato do të mund të jenë të suksesshme, nëse nuk e dini se ç’farë numri të popullsisë keni, ç’farë strukture ka, me ç’farë probleme ballafaqohet dhe ç’farë kapacitete dhe ç’farë nevoja ka”, deklaroi nga OJQ “Info Qendra”, Biljana Bejkova.
 
Ekspertja për kyçje sociale, Adërdita Haxhijahja-Imeri, theksoi se regjistrimi në Maqedoni nga një operacion administrativ është shndërruar në një operacion politik dhe si rezultat i kësaj, Maqedonia ka ngecje në politikat zhvillimore.
 
“Mendoj se regjistrimi në Maqedoni është një operacion, i cili fatkeqësisht prej operacionit me natyrë administrative, u kthyen në një operacion me natyrë politike dhe fatkeqësisht si e tillë nuk arriti të regjistrohet dhe të përfundohet, kështu që neve si shtet momentalisht nuk kemi të dhëna se sa jemi dhe në bazë të asaj se në cilat numra dhe cilat të dhëna t’i bazojmë politikat zhvillimore. Politikat zhvillimore janë politika të cilat e tregojnë në ç’farë drejtimi do shkojë shteti dhe janë politika të cilat para së gjithash bazohen se sa banorë ka dhe ku ata banorë do të zhvillohen, këtu ka rëndësi puna e edukimit dhe shkollimit, puna e infrastrukturës komunale, objekteve madhore, shtetërore dhe të gjitha politikat tjera të cilat kanë të bëjnë me zhvillimin rajonal”, theksoi ekspertja për kyçje sociale, Adërdita Haxhijahja-Imeri.
 
Debatuesit vlerësuan se të drejtat e popullsisë nuk janë numra dhe  përqindje, por janë të drejta demokratike që i takojnë çdo qytetari në këtë vend. Po ashtu në këtë debat u theksua se Maqedoni është shteti i vetëm që e ka numrin e votuesve të barabartë me numrin e atyre që janë të regjistruar.
 
MIFTAR EMINI