MAQEDONI
Ekspertët: Geshkovska bëri shkelje të kodit penal
02.06.2014 18:25
Fjalët e fundit të prokurores publike, Gordana Geshkovska, për rastin “Monstra”...

Fjalët e fundit të prokurores publike, Gordana Geshkovska, për rastin “Monstra” dhe kërkesa e saj për dënim maksimal për të akuzuarit edhe më tej shkaktojnë reagime te ekspertët juridik.
Sipas ekspertit për çështje penale, Afrim Osmani, në fjalët përfundimtare Geshkovska ka bërë vepër penale, gjegjësisht shkelje të nenit 319 dhe ka shkaktuar urrejtje dhe jotolerancë në bazë etnike dhe fetare.
Prokurorja Geshkovska nuk i mori parasysh disa parime, në bazë të së cilave ajo duhet të ushtrojë funksionin prokuror publik dhe ndjekjen e kryerësve të veprave penale, duke u mbështetur në fakte, thotë ai.
“Ka edhe baza për shkarkim të prokurores në rastin konkret, por edhe ka bazë për përgjegjësi penale sipas Kodit Penal, neni 319, shkaktim i urrejtjes, përçarjes dhe mostolerancës në baza etnike, fetare dhe ndonjë diskriminimi tjetër. Ka edhe bazë për shkarkim dhe këtë iniciativë duhet të ndërmarrë Prokuroria e lartë ose prokurori republikan, kurse për shkarkimin e tij vendos Këshilli i Prokurorëve të Maqedonisë. Ka bazë për shkarkim, pasi që prokurorja Geshkovska tregoi një joprofesionalizëm dhe bazë për shkarkim është edhe mënyra joprofesionale dhe e pandërgjegjshme e kryerjes së funksionit të prokurorit publik”, deklaroi eksperti juridik, Afrim Osmani.
Eksperti juridik, Mersim Pollozhani, i bashkëngjitet kërkesave për shkarkim nga detyra dhe kërkimin e përgjegjësisë penale të prokurores publike, Gordana Geshkovska. Ai njëherit kërkon përjashtimin e saj nga kjo lëndë dhe të njëjtën ta merr një prokuror i cili funksionin e tij do ta kryej në pajtueshmëri me Kushtetutën dhe Ligjin.
“Sa e kam ndjekur rregullisht këtë proces, prova nuk ka dhe gabimi i dytë i prokurores qëndron aty se ajo kërkon dënimin kapital në këtë rast, burg të përjetshëm pa dëgjuar bile as fjalët përfundimtare të avokatëve mbrojtës, që unë e konsideroj edhe si një shkelje flagrante të procedurës penale. Unë u kyçem kërkesave të cilat kërkojnë përjashtimin e saj nga kjo lëndë”, theksoi eksperti juridik, Mersin Pollozhani.
Ekspertët thonë se prokurori publik është i obliguar që funksionin e tij ta kryej në mënyrë të paanshme dhe objektive, duke i respektuar dhe mbrojtur të gjitha liritë dhe të drejtat e njeriut, si dhe duke garantuar barazi qytetare para Ligjit, pa marrë parasysh përkatësinë racore, gjinore, fetare, etnike, sociale apo politike. Fjalët përfundimtare mbrojtja do t’i thotë më 5 qershor.
FLORIJE KAMBERI
