Botë

Kolumbi, lirohen dy gazetarët holandezë të marrë peng

24.06.2017 15:32

Dy gazetarë holandezë të rrëmbyer javën e kaluar nga rebelët në Kolumbi janë lënë të lirë, bëjnë të ditur mediat ndërkombëtare...

Derk Bolt dhe Eugenio Follender i janë dorëzuar një delegacioni të zyrës së Avokatit të Popullit. 
 
Rebelët e fraksionit ELN, Ushtria Çlirimtare Kombëtare, deklaruan se i kishin liruar ata ditën e premte, por pak më vonë e tërhoqën njoftimin.
 
Veprimi i tyre krijoi shqetësime për bisedimet e paqes mes rebelëve dhe qeverisë. Sidoqoftë, dy gazetarët holandezë u liruan në një zonë rurale në rajonin Katatumbo, në afërsi të kufirit me Venezuelën. 
 
Ministri i Jashtëm holandez, Bert Koenders mirëpriti lirimin duke e cilësuar një “lajm shumë të mirë” dhe falenderoi autoritetet kolumbiane të cilat punuan për të arritur këtë qëllim. 
 
Foto të publikuara nga Avokati i Popullit në Kolumbi tregonin holandezët të shoqëruar nga luftëtarë të armatosur të ELN-së që i dorëzoheshin delegacionit civil. 
 
Zyra e Avokatit të Popullit në Kolumbi, e njohur si Defensoria del Pueblo de Colombia, është një zyrë qeveritare kombëtare që mbikëqyr mbrojtjen e të drejtave të njeriut./Top Channel