Maqedoni
Fitër Bajrami, politikanët urojnë besimtarët për festën
25.06.2017 12:03
Nuk kanë munguar në këtë ditë as urimet e politikës, me dëshira për shëndet, urtësi, mirëqenie dhe harmoni...

Ditët e mira si kjo vijnë pas një përkushtimi dhe sakrificash. Pas një periudhe krizash të një pas njëshme, dhe përkushtimit tonë të pa lëkundur për vlerat demokratike dhe rrugëtimin tonë euro-atlantik, Ju uroj ditë dhe vite të progresit dhe mbarësisë, thuhet në urimin e kreut të BDI-së, Ali Ahmeti.
Urim edhe nga kreu I PDSH-së Menduh Thaci. Sakrifica e agjërimit dhe ibadetet gjatë muajit të madhërishëm të Ramazanit të kthehen në mirësi, paqe e begati në shtëpitë dhe familjet tuaja.Në emrin tim personal dhe në emër të Partisë Demokratike Shqiptare të gjithë besimtarëve të fesë islame ua uroj festën e Fitër Bajramit duke ju dëshiruar shëndet të plotë, mirëqenie dhe mbarësi, thuhet në urimin e Thacit.
Kreut i RDK-së, Vesel Memedi në emër të tij dhe partisë së tij, të gjithë shqiptarëve të besimit islam, dhe gjith muslimanëve tjerë anekënd botës, ua uron festën e Fitër Bajramit me dëshirat më të mira për shëndet, lumturi dhe mirëqenie.
Urim edhe nga Kryetari i UNITETI-t, Gëzim Ostreni. Le të jetë kjo festë e shenjtë momenti i solidaritetit dhe dashurisë ndër njerëzit, i lumturisë sonë dhe për të afërmit tonë, thuhet në urim. Urojmë që mirëqenia ekonomike, sociale e shëndetsore të jetë e pranishme në çdo shtëpi si dhe mbizotërimin e paqës dhe sigurisë në botë, thuhet në Urimin e Partisë për Prosperitet Demokratik.
Urim edhe nga Sekretariati për Sistem Politik dhe Mardhënie mes Bashkësive. Kjo festë e solidaritetit sjell mundësi për të forcuar lidhjet mes komuniteteve, prandaj quhet ndryshe edhe festa e bashkimit pasi çdoherë rezulton në harmoni fetare dhe bashkëjetesë vëllazërore, thuhet në urimin e zv ministrit Hazbi Lika.
Në emër të studentëve, stafit akademik dhe të gjithë punonjësve të Universitetit të Tetovës, festën e bajramit e ka uruar edhe rektori i UT-së Vullnet Ameti.
