Botë
Bota islame feston Fitër Bajramin
25.06.2017 15:20
Fiter Bajrami nisi kur hëna e re u dallua në qiell, duke e bërë festën të ndryshme në të gjithë botën...

Fiter Bajrami nisi kur hëna e re u dallua në qiell, duke e bërë festën të ndryshme në të gjithë botën, pra ajo festohet më 25 ose 26 qershor, varet nga vendi ku janë dhe si shihet hëna.
Miliona besimtarë u zgjuan sot që në orët e para të mëngjesit për të falur Namazin. Festimi kryesor I kësaj dite padyshim është ai që mbahet në Mekë, por gëzimi ka përfshirë të gjitha vendet islame, edhe ato që janë në luftë. Gjithsesi festimi në vendin më të shenjtë për muslimanët, u mbajt nën masa të rrepta sigurie, pas tentimit për sulm të dy ditëve më herët në Xhaminë e Madhe.
Forcat e sigurisë gjetën dy grupe terroriste në Mekë dhe një grup të tretë në qytetin e Jedda, që tentuan të prishin gëzimin e kësaj dite. Në Nju Kasëll, festimet u ndërprenë kur një 42 vjecare drejtoi makinën drejt grumbullit të besimtarëve që faleshin, duke lënduar gjashtë prej tyre, tre të rritur dhe tre fëmijë.
Policia po heton shkaqet e sulmit por për momentin nuk po e trajton të njejtin si sulm terrorist por si aksident. Një 9 vjecar është në gjendje të rëndë. Në Siri, presidenti Bashar al-Assad i kreu lutjet në Hamà, dhe kjo është hera e parë që zhvendoset kaq larg brenda Sirisë që prej nisjes së luftës civile.
Kjo nga mediat qeveritare, u vlerësua si tregues për rritjen e besimit dhe forcimin e pozitave të forcave qeveritare. Si çdo vit, palestinezët në këtë ditë feste, u lutën për fundin e konfliktit me Izraelin. Në një mesazh për popullin e tij, presidenti palestinez tha se shpresonte për çlirimin e Jeruzalemit.
“U themi shteteve arabe se jemi pjesë e tyre dhe shpresojmë që vendi ynë të bashkohet pas një udhëheqësi të vetëm, që do të mbështesë palestinezët”, ishte mesazhi i Mahmoud Abbas.
Fitër Bajrami është një nga festimet më të mëdha në vitin islamik. Festa ka tradita të ndryshme që varen nga vendi. Shumica e njerëzve përdorin tri ditët për të vizituar të afërmit dhe shokët. Disa tradita të tjera janë dhënia e parave fëmijëve, nga më të vjetrit.
FARIJE DAUTI BAKIU
