Hahn sot në Shkup, prioritet i bisedimeve, reformat
Eurokomisari për politikë evropiane të fqinjësisë dhe negociata për zgjerim....

Eurokomisari për politikë evropiane të fqinjësisë dhe negociata për zgjerim, Johanes Han, sot do ta vizitojë Republikën e Maqedonisë në biseda rreth planeve për reforma të Qeverisë së re të Maqedonisë, si dhe ta përsëris përkrahjen e Bashkimit Evropian për vendin që t’i zbatojë reformat e domosdoshme që në të ardhmen të bëhet anëtare e Unionit.
Është paraparë që Han gjatë vizitës në Shkup të takohet me kryeministrin, Zoran Zaev, me përfaqësues tjerë të Qeverisë së re dhe me liderët e tjerë politik në vend. Në deklaratën e dhënë gjatë ardhjes së tij në Maqedoni, Han potencoi se e viziton Maqedoninë që të nxisë zbatimin e reformave që Brukseli pret të zbatohen në afat të shpejtë, e me qëllim që të kthehet në rrugën e integrimit evropian.
“Me përkrahjen e vazhdueshme të Bashkimit Evropian, vendi më në fund e tejkaloi krizën politike përmes zgjedhjeve të administruara mirë dhe formimit të qeverisë së re. Tani, Qeveria e re, së basku me opozitën, duhet të përqendrohet në zbatimin e Prioriteteve urgjente reformuese dhe në zbatimin e tërësishëm të marrëveshjes së Përzhinës, me qëllim që vendi të kthehet në rrugën drejt integrimit në BE. Reformat duhet të bëhen që të përmirësohen jetët e njerëzve, të punohet për stabilitet, prosperitet dhe drejtësi. Grupi i obliguar i ekspertëve të lartë të pavarur për sundimin e së drejtës, i udhëhequr nga Rajnhard Pribe është veçmë në vend që t’i ndihmojë dhe ta këshillojë Qeverinë e re për çështje të sundimit sistematik të së drejtës”, deklaroi komisari Han para ardhjes së tij në Maqedoni.
