Kolumbi, përmbyset anija, 9 të vdekur dhe 28 të zhdukur
Një anije është përmbysur në një rezervuar të Kolumbisë perëndimore...

Një anije është përmbysur në një rezervuar të Kolumbisë perëndimore. 9 persona kanë humbur jetën, kurse 28 janë shpallur të humbur. 133 persona kanë arritur t’i mbijetojnë fatkeqësisë. Anija me katër kate u përmbys në afërsi të qytetit turistik Guatape, në lindje të Medellinit. Dëshmitarët thonë se anija u fundos brenda 5 minutave.
“Dëgjuam një zhurmë të fortë e më pas edhe ulërima, njerëzit filluan të thonë se atje tej anija katër katëshe po kthehej anash. Filluam të xhironim atë që po ndodhte, ishte e tmerrshme. Anije të tjera nga bregu nxituan t’i vijnë në ndihmë anijes që po mbytej. Njerëzit që shpëtuan dukeshin të tmerruar. Pamë njerëz të dëshpëruar që shtynin në ujë të tjerët, për të qëndruar ata në sipërfaqe. Ka shumë të lënduar, disa i nxorën nga uji pa ndjenja”,- deklaroi dëshmitarja okulare, Lorena Vaquiro.
“Ishte e tmerrshme vërtetë të shikoje gjithë ata njerëz të mbijetuar që arritën të dilnin në breg. Të gjithë filluam të ndihmojmë. Ishte një eksperiencë shumë trishtuese”,- theksoi dëshmitarja okulare, Mila De Montano.
Në ndihmë të ekipeve të kërkim-shpëtimit u bashkuan edhe helikopterët e ushtrisë dhe zhytësit profesionistë.
“Ekipet e shpëtimit ende janë atje duke kërkuar trupat e njerëzve. Na janë bashkangjitur edhe polumbarët për kërkimet nën ujë. Por, kërkimet për të mbijetuar kanë përfunduar. Po mundohemi të nxjerrim trupat e viktimave”,- theksoi ndihmësdrejtori në Njësinë e emergjencave në Medelin, Diego Moreno.
Të mbijetuarit thonë se anija ishte e stërmbushur dhe askush nga pasagjerët nuk e kishte veshur jelekun e shpëtimit. Hetuesit po punojnë tani për të zbuluar shkaqet e vërteta të këtij aksidenti. (Gazmend Rexhepi, TVM2)
