Maqedoni
OMM reagon ndaj propozimit të VMRO-së: Ligjin për veprimtari të mjekëve e përgatitëm ne
26.06.2017 14:47
Oda e Mjekëve të Maqedonisë ka reaguar ndaj propozim-ligjit për veprimtari të mjekëve të grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së

Oda e Mjekëve të Maqedonisë ka reaguar ndaj propozim-ligjit për veprimtari të mjekëve të grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së, duke sqaruar se ata në këtë ligj kanë punuar me vite dhe se nuk do të lejojnë të keqpërdoren për qëllime partiake.
Nga Oda e Mjekëve thonë se VMRO ka propozuar një ligj të ngjashëm me atë që e kishin dorëzuar në Ministrinë e Shëndetësisë që në muajin mars, kur ministër ishte kuadri i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Todorov.
“Në Ligjin për veprimtari të mjekëve, Oda e Mjekëve e Maqedonisë ka punuar me vite dhe se bazat për një procedurë të tillë ligjore janë nxitur dhe kanë filluar para 10 vitesh. Gjatë tërë kësaj periudhe janë ndryshuar dhe plotësuar versione të ndryshme të vendimeve të tilla ligjore, edhe atë në mandatin e më shumë udhëheqësve të Odës së Mjekëve, kurse propozim-ligji për veprimtari të mjekëve, pothuajse i ngjashëm me këtë që u soll nga grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së, është përgatitur më shumë se dy vite në Odën e Mjekëve të Maqedonisë nga ana e komisionit të veçantë. Përkundër indikacioneve se ka nevojë për përpunim të saj, i njëjti është miratuar me 34 vota nga 69 të mundshme në Kuvendin e fundit të përbërjes paraprake të Odës së Mjekëve, i mbajtur më 23 shkurt të vitit 2017”,- thuhet ndër të tjera në kumtesën e Odës së Mjekëve.
Ata njëherit theksojnë se nuk do të lejojnë që përbërja dhe kapaciteti profesional i Odës së Mjekëve të Maqedonisë, si dhe sigurimi i kushteve më të mira për punë të mjekëve, të keqpërdoret për qëllimet politike dhe partiake. VMRO-DPMNE para disa ditësh e ka dorëzuar në kuvend një propozim të tillë, duke pretenduar autorësinë dhe ka kërkuar mbështetje të propozim-ligjit nga të gjitha partitë.
REXHEP QAMILI
