Sereqi: Është mëkat të mos afirmosh vlerat kombëtare, duam që meshat katolike të mbahen në shqip

26.06.2017 15:08

Sot mbushen 37 vjet nga dita kur Nënë Tereza u shpall qytetare nderi e kryeqendrës së Maqedonisë....

Sot mbushen 37 vjet nga dita kur Nënë Tereza u shpall qytetare nderi e kryeqendrës së Maqedonisë.

Edhe sivjet Shkupi e harroi Shën Terezën dhe kjo datë e rëndësishme jo vetëm për komunitetin e vogël katolik në vend, por për të gjithë, kaloi vetëm me një bisedë në kuadër të emisionit të mëngjesit në TVM2.

Kjo datë sivjet qëlloi në një festë të rëndësishme për shumicën e shqiptarëve në vend, që sot i gëzohen ditës së dytë të Fitër Bajramit, festë që edhe sivjet erdhi me mesazhin e rëndësishëm të dashurisë ndaj njëri-tjetrit. Shqiptarët në shekuj e kanë treguar dashurinë e tyre ndaj njëri-tjetrit, me specifikën e tyre të veçantë dhe bashkëjetesën shekullore ndërfetare. Anton Sereqi, nënkryetar i Komisionit për Marrëdhënie mes Bashkësive Fetare, thotë se në një kohë kur njerëzit drejtohen në jetë nga të mirat materiale, të mirat shpirtërore po lihen pas dore dhe po harrohen madje edhe vlerat kombëtare.

“Të kesh një dhuratë nga Zoti, të kesh një person si Nëna Terezë, e të mos dish ta afirmosh, në mos tjetër, të mësosh diçka nga ajo, është mëkat dhe një dobësi e ne të gjithëve”,- u shpreh nënkryetari i Komisionit për marrëdhënie mes bashkësive fetare, Anton Sereqi.

Sereqi edhe sivjet përkujton politikën që të kujtohet për komunitetin katolik shqiptar dhe për gjuhën shqipe, që ka kohë që mungon në meshat në kishën katolike në Shkup.

“Nuk kemi prift, e kështu largohen edhe njerëzit që duan të vijnë aty. Kam biseduar edhe me myslimanë që mezi presin të vijë një prift shqiptar e të ndjekin meshën në shqip, sepse është një ngjarje që flet për kombin e tyre. Do bëjmë një peticion drejtuar ipeshkvit të Shkupit, ku t’i themi se kemi nevojë për një bari që të na mbledhë në kishën e Nënë Terezës “Zemra e Krishtit” e të përtërijmë vlerat tona fetare. Nuk rrezikojmë askënd, ata le të vazhdojnë të mbajnë meshat në maqedonisht, ne do të insistojmë gjithë kohën”,- theksoi nënkryetari i Komisionit për Marrëdhënie mes Bashkësive Fetare, Anton Sereqi.

Sereqi është optimist se një ditë gjuha shqipe sërish do të dëgjohet në kishën e Shën Terezëz e Pjetër Bogdanit. Deri sa kjo ëndërr të bëhet realitet, komuniteti katolik do të vazhdojë të luftojë, të paktën për të nderuar emrat e shqiptarëve katolikë të Shkupit që kanë lënë gjurmë në historinë botërore, ndër të cilët, padyshim që Nën Tereza zë vendin kryesor. (Florije Beluli-Kamberi, TVM2)