Maqedoni

Han: Pas vështirësive, çmoj dinamikën e re; Zaev: Hartojmë plan veprimi, presim vlerësim pozitiv

26.06.2017 17:48

Brukseli kërkon konsensus të gjithanshëm për procesin integrues dhe koncentrim të posaçëm në realizimin e detyrave që paraprijnë në zbatimin e reformave prioritare....

Eurokomisari, Johanes Han, përshëndeti dinamikën e re për të shënuar arritje konkrete dhe paralajmëroi ndihmën e BE-së.
 
“Ekspertët e BE-së do të jenë këtu që nesër për të ofruar ndihmën e tyre në këtë proces”,- theksoi Han. Ai veçoi qasjen e re ndaj fqinjëve, si nismë e mirë për rikuperimin e marrëdhënieve me Greqinë dhe Bullgarinë.  
 
“Pas gjithë vështirësive dhe ngjarjeve në këtë vend, çmoj dinamikën e re për të shënuar arritje konkrete për të mirën e qytetarëve. Mesazhi im për të gjithë është që koncentrohen në detyrat që na paraprijnë. Vendi dhe të gjithë aktorët me relevancë, përfshi edhe opozitën dhe mediat, gjykatat dhe çdo element të shoqërisë, duhet të fokusohen në atë që është më e mirë për qytetarët. Të krijojnë një shtet modern dhe funksional. Fokusi duhet të jetë i tillë që angazhimi të jetë në interes të të gjithë qytetarëve pa marrë parasysh përkatësinë etnike apo partiake”,- tha komisioneri për zgjerim, Johanes Han.
 
“Reformat nuk bëhen për të kënaqur zyrtarët e Brukselit, por për të krijuar perspektivë dhe jetë më të mirë për qytetarët e Maqedonisë”,– theksoi Han pas takimit me kryeministrin, Zoran Zaev, dhe pjesëmarrjen në seancën e qeverisë. 
 
Ndërkaq, kryeministri Zaev njoftoi se qeveria po përgatit një plan veprimi për zbatimin e reformave që burojnë nga Marrëveshja e Përzhinës dhe Raporti i Pribesë dhe se dokumenti do të jetë gati deri më një korrik, pas takimit me grupin e ekspertëve të pavarur nga Brukseli.               
 
“Qëllimi ynë është që KE t’i japë Maqedonisë vlerësim pozitiv në Raportin progresin për vendin, në vjeshtë, si dhe të propozojë rekomandim të pastër, të pakushtëzuar për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE. Për këtë qëllim punojmë në përgatitjen e një plani veprimi i quajtur udhërrëfyes, që duhet të finalizohet deri më 1 korrik. Bëhet fjalë për reforma të parapara në fushat kyçe: sundimi i ligjit, institucione profesionale, trupa rregullatorë të pavarur, media të lira, që burojnë nga Marrëveshja e Përzhinës, nga vërejtjet e grupit të ekspertëve të KE-së, të kryesuar nga Rajnahard Pribe, MO, Raportet e progresit të KE-së dhe raportet e institucioneve dhe organizatave të ndryshme”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
 
Zaevi tha se reformat do të jenë gjithëpërfshirëse dhe ftoi të gjithë aktorët politik, përfshi edhe opozitën, sektorin civil, mediat dhe ekspertët që të inkuadrohen në procesin e reformave për anëtarësim në BE.
 
Ai kërkoi edhe ndihmën e fqinjit jugor, Greqisë, që të tregohet më tolerante dhe t’ia hapë rrugën Maqedonisë në procesin e integrimit. Kjo pritet të arrihet në krijimin e një klime pozitive në marrëdhëniet dypalëshe mes dy vendeve fqinje. 
 
SHPËTIM NUREDINI