Botë
PS, fituese e zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri
26.06.2017 18:00
Partia Socialiste e Shqipërisë ka fituar bindshëm në zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit...

Teksa janë numëruar shumica e votave, socialistët kanë arritur të fitojnë mbi 50 për qind të mandateve në Kuvend, shifër kjo mjaft e lartë, madje edhe larg pritshmërive të vetë kësaj partie.
Sipas rezultateve të deritanishme, del se vetëm qarku i Kukësit është fituar nga Partia Demokratike, ndërsa të 11 qarqet e tjera nga Partia Socialiste dhe LSI. Kjo e fundit ka marrë në total rreth 15 për qind të votave, shumë më pak se pritshmëritë e liderit historik, Ilir Meta.
Ndërkaq, Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet del forcë e katërt politike, ndërsa LIBRA e Ben Blushit nuk dihet ende nëse fiton ndonjë mandat deputeti.
Në raportin paraprak, OSBE/ODIHR vuri në dukje një sërë mangësish në proces, ndërsa kryevëzhguesi, Eduard Kukan, shprehu nevojën e njohjes së rezultatit nga të gjitha partitë.
Zyrtarët e lartë janë treguar të rezervuar me reagime, duke u mjaftuar me komunikime të shkurtra në Facebok. Në një status të shoqëruar me një hartë të ngjyrosur pothuajse tërësisht me ngjyrën tipike të partisë socialiste, lë të kuptohet se ka fituar mbi 75 mandate.
Ndërsa kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u bëri thirrje komisionerëve të mos dorëzohen para temperaturave të larta dhe presioneve të kundërshtarëve, por të mbrojnë çdo votë. Sipas analistëve, në këtë pikë, ka pak gjasa që të kemi ndryshime thelbësore të rezultatit.
LULJETA NDOKA
