Botë

PPS, edhe katër ditë afat për aktakuza

26.06.2017 18:16

Prokurorët e Prokurorisë Publike Speciale kanë vetëm edhe 4 ditë kohë për ngritjen e aktakuzave, sepse më 30 qershor skadon afati për ngritjen e akuzave...

Deri tani ekipi i Janevës ka hapur 19 hetime, ndërsa janë ngritur vetëm tre padi ndaj personave të përmendur në krim që dyshohen se kanë bërë krim me keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe krim financiar.
 
Nga PPS thonë se “në këtë moment nuk mund të paragjykohet asgjë. Gjatë javës do të tregojmë zyrtarisht se për cilat lëndë do të ketë akuza dhe për ato që nuk do të ketë akuza do të shpjegojmë se pse s’ka”- thonë nga PPS-ja.
 
Edhe fati i rastit “Talir”, në të cilin u zbulua financimi i paligjshëm i VMRO-DPMNE-së, nuk dihet, kjo pasi që Nikolla Gruevski, Kirill Bozhinovski dhe Martin Protugjer nuk i kanë pranuar ftesat për marrje në pyetje.
 
Lideri i VMRO-DPMNE-së nuk është i akuzuar vetëm në rastin “Talir” për financim të paligjshëm dhe pastrim parash, por është i dyshuar edhe në rastin e dhunës në komunën Qendër, në rastin e rrënimit të objektit “Kozmos”, është i përfshirë në rastin e blerjes së Mercedesit prej 600 mijë eurosh, në ndërtimin e një autostrade dhe në krimin zgjedhor që u zbulua në rastin “Titanik”.
 
Nga PPS disa herë kanë thënë se ata do të vazhdojnë me hetimet, pavarësisht nëse kanë ose jo mundësi për ngritjen e akuzave. Provat e mbledhura sikurse për rastin e “Sopotit” do t’ia dorëzojnë Prokurorisë së rregullt. Por, nuk dihet nëse të njëjtën do ta bëjnë për rastin “Monstra”, i cili të enjten përsëri do të dalë para Gjykatës Supreme me ankesën ndaj burgut të përjetshëm. 
 
SANIJE DURAKU