Botë

ShBA: Nëse Asad përdor armë kimike, do të ndëshkohet

27.06.2017 14:02

ShBA-të kanë identifikuar përgatitje “potenciale” me armë kimike nga ana e regjimit të Bachar al-Assad në Siri...

ShBA-të kanë identifikuar përgatitje “potenciale” me armë kimike nga ana e regjimit të Bachar al-Assad në Siri, të ngjashëm me atë të prillit të këtij viti, që rezultoi me qindra civilë të vdekur, shumica fëmijë.  
 
Ishte pikërisht ky sulm që solli si pasojë urdhrin e presidentit Trump për nisjen e një sulmi me raketa në një bazë ajrore siriane. Nëse një gjë e tillë ndodh, Shtëpia e Bardhë kërcënoi se Siria edhe këtë herë të ndëshkohet rëndë nëse shënohet ky sulm.
 
“ShBA-të kanë identifikuar përgatitje potenciale të një tjetër sulmi kimik nga ana e regjimit sirian të Assadit, që mund të shkaktojë masakra në civilë, duke përfshirë fëmijë të pafajshëm. Këto veprimtari janë të ngjashme me përgatitjet e regjimit para sulmit me armë kimike më 4 prill”,- deklaroi zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer.
 
Sulmi i 4 prillit shkaktoi një kundërpërgjigje ushtarake të ShBA-ve, që kishte lëshuar 59 raketa kundër një baze ajrore në Siri, duke shënuar ndërhyrjen e parë të armatosur të Uashingtonit në konfliktin sirian.
 
Zëdhënësi rikujtoi se ShBA ndodhet e pranishme në Siri për të luftuar xhihadistët e grupit të “Shtetit Islamik”, por paralajmëron se nëse presidenti sirian do të ndërmarrë një tjetër sulm me armë kimike “ai dhe ushtria e tij do të paguajnë shtrenjtë”.
 
Siria vazhdon të mohojë se ka përdorur armë kimike kundër civilëve. Goditja e Sirisë nga Uashingtoni solli një përplasje të këtij të fundit me Rusinë, që njihet si aleati i fortë i Assadit përgjatë luftës civile 6-vjeçare.
 
GAZMEND KURTISHI