Botë

Rama falënderon shqiptarët për fitoren, Basha konsultohet me Berishën, LSI pranon opozitën

27.06.2017 15:50

Partia Socialiste e Shqipërisë ka fituar shumicën në zgjedhjet e 25 qershorit, duke marrë 74 deputetë, nga 140 që ka gjithsej Kuvendi i Shqipërisë...

Ky rezultat i ka tejkaluar edhe ambiciet e kryeministrit, Edi Rama, për 71 deputetë. Në këtë mënyrë, kryeministri aktual, i cili do të jetë i tillë edhe për 4 vjet, gëzon shumicën në Kuvend, që i nevojitet për të çuar përpara reformat.
 
Partia Demokratike ka marrë vetëm 43 deputetë, LSI 19 mandate, Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet e Shpëtim Idrizit ka marrë tre mandate, ndërsa Partia e Tom Doshit 1 mandat. Kryeministri, Edi Rama, ka zgjedhur t’i falënderojë shqiptarët dhe stafin e tij nëpërmjet një mesazhi, ku shprehet se rezultati i thellë e ngarkon Partinë Socialiste me një përgjegjësi shumë të madhe ndaj shqiptarëve, për t’u vërtetuar atyre që kanë bërë zgjedhjen e duhur.
 
Kryetari demokrat nuk ka reaguar, por ka zhvilluar një takim me ish-liderin, Sali Berisha, për të diskutuar rezultatin. 
 
Ndërkohë, Petrit Vasili i Lëvizjes Socialiste për Integrim deklaroi se është zyrtarisht në opozitë, duke u shprehur që më në fund Shqipëria ka një opozitë të vërtetë, të papërlyer në koalicione.
 
Disa funksionarë demokratë bëjnë përgjegjës Bashën për humbjen, madje disa prej tyre janë të mendimit që ai nuk duhet të jetë më kryetar i Partisë Demokratike.
 
LULJETA NDOKA