Maqedoni
Rastet “Sopoti” dhe “Puç”, Këshilli Gjyqësor shtyn seancën për të enjten
27.06.2017 16:12
Këshilli i Prokurorëve sërish nuk u deklarua nëse rasti “Sopoti” do t’i jepet Prokurorisë Speciale Publike...

Këshilli i Prokurorëve sërish nuk u deklarua nëse rasti “Sopoti” do t’i jepet Prokurorisë Speciale Publike, prokurorët e së cilës disa herë kanë deklaruar se posedojnë dëshmi të mjaftueshme. Seanca e Këshillit të Prokurorëve, në të cilën duhej të sillej vendimi për “Sopotin” dhe rastin “Puç”, u anulua për të enjten, pa u njoftuar shkaqet e anulimit.
Prokuroria Speciale fillimisht kërkoi nga Prokuroria Publike e më pas edhe nga Këshilli i Prokurorëve të prononcohet nëse rasti “Sopoti” do t’i kalojë kësaj prokurorie.
Në rastin e “Sopotit” që nga viti 2003, kur gjatë eksplodimit të një mine në afërsi të fshatit Sopot humbën jetën dy ushtarë polakë dhe një civil, 11 banorë u dënuan me gjithsej 150 vite burg, shumica vuajtën nga shtatë vite burg.
Kërkesa e PSP-së për marrjen e këtij rasti bazohet në materialet e përgjuara të publikuara nga lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, ku dëgjohet se si ish-ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska, dhe ish-shefi i Policisë Sekrete, Sasho Mijallkov, diskutojnë për rastin dhe pohojnë se të akuzuarit pafajësisht janë burgosur.
Po ashtu në një bisedë tjetër telefonike dëgjohet se si koordinatori i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së, Ilija Dimovski, ka kërkuar nga ish-ministrja e Brendshme, Jankullovska, që ta detyrojë prokurorin, Marko Zvërlevski, t’u shqiptohet paraburgim të akuzuarve, në kundërshtim me vendimet e mëparshme të Gjykatës. Pas publikimit të përgjimeve, edhe të akuzuarit dhe pala mbrojtëse kërkuan që rasti t’i kalohet PPS-së.
Të akuzuarit: Sulejman Sulejmani, Hasan Klaiqi, Samet Lutfiu, Shaban Limani, Shaqir Sulejmani, Bashkim Ukshini, Musa Klaiqi, Zenel Klaiqi, Selman Jahiu, Samet Limani dhe Afrim Ukshini vazhdimisht të mohojnë të kenë çfarëdo lidhje me rastin dhe plot 14 vite po presin që drejtësia ta thotë fjalën e saj për pafajësinë e tyre. Por, pas vendimit të gjykatës për ta kthyer lëndën në rishqyrtim, seancat gjyqësore janë anuluar disa herë dhe rasti assesi të marrë epilog përfundimtar.
Seanca e ardhshme gjyqësore është caktuar për më 18 shtator.
GYLTENE SINANI
