Maqedoni

Ndihma juridike falas, hulumtimi: Qytetarët ankohen për burokraci institucionale

27.06.2017 16:34

Ndihma juridike falas për qytetarët ka lehtësuar dukshëm qasjen e tyre në institucionet e drejtësisë...

Por, sipas hulumtimit të fundit të Fondacionit “Shoqëria e hapur”, ky lehtësim nuk është i mjaftueshëm, sepse institucionet dhe shoqatat nuk kanë kapacitet për zbatimin e plotë të kësaj procedure. Sipas statistikave, çdo i 4 person e ka shfrytëzuar këtë të drejtë. 
 
“36% e të anketuarve kanë probleme të kategorisë së sigurimit të invaliditetit social, shëndetësor dhe pensional, ndërsa 17% prej tyre kanë probleme me çështjet pronësore juridike. Qytetarët në përgjithësi janë shprehur si të  kënaqur nga shërbimet falas juridike që i ofrojnë 5 shoqatat juridike, ndërsa pakënaqësinë e tyre e shprehin nga burokracia e institucioneve”,- deklaroi Jana Milenkovska nga FShH “Soros”.
 
Ambasadori i BE-së në Shkup, Samuel Zhbogar, tha se zbatimi i drejtë i ndihmës juridike për grupet e margjinalizuara duhet të fillojë me rritjen e buxhetit shtetëror të paraparë për këtë procedurë dhe më pas të ndryshohet Ligji për sigurim të ndihmës juridike.
 
“Nuk ekziston një sistem për të gjitha shtetet, secili shtet duhet të gjejë mënyrë të duhur dhe adekuate, dhe se ajo duhet të mundësojë kualitete të caktuara që të sigurojë shërbime cilësore dhe relevante në kuadër të këtij sistemi. Procedura e ndihmës juridike ka mungesë të resurseve të cilat duhet të sigurohen nga sistemi shtetëror. Duhet të bëhen ndryshime këtu ngaqë shteti nuk mund të sigurojë drejtësi adekuate pa mjete financiare”,- tha shefi i BE-së në Shkup, Samuel Zhbogar.
 
Metodologjia e hulumtimit ka qenë kualitative dhe kuantitative. Hulumtimi kuantitativ është realizuar prej  më 24 prill deri më 17 maj të 2017-s, nëpërmjet anketimit të 191 personave.
 
REXHEP QAMILI