Maqedoni
Shtyhet seanca për rastin “Mitmarrja”, Zaevi: Pres drejtësi, respektoj vendimin e gjykatës
27.06.2017 17:16
Është shtyrë për 27 shtator seanca e rastit “Mitmarrja”, në të cilën akuzohet kryeministri, Zoran Zaev...

Është shtyrë për 27 shtator seanca e rastit “Mitmarrja”, në të cilën akuzohet kryeministri, Zoran Zaev, për shkak të kërkesës së mbrojtjes për përjashtimin e videove nga masat e veçanta hetimore tashmë të publikuara në Youtube. Siç bëri të ditur Zaevi, avokatët e tij kanë kërkuar që gjykata t’i ndajë dëshmitë e mbledhura me veprime të posaçme hetimore, pasi ato janë prezantuar publikisht.
“Në përputhshmëri me ligjin, çdo masë e veçantë hetuese e cila është e publikuar nuk mund të llogaritet si dëshmi. Ishim në dilemë se incizimin ta publikojmë në tërësi që të mësohet në thelb vetë lënda, apo të kërkojmë që e njëjta të përjashtohet si dëshmi, pasi kjo na takon me ligj. Por, vendosëm që t’i përdorim të gjitha mundësitë ligjore. Gjykata do të japë vendim në pajtueshmëri me kërkesën e avokatëve. Ashtu si të vendos gjykata, ashtu do t’i shfrytëzojmë të drejtat tona. Unë personalisht si person i akuzuar pres dhe dua që ai incizim të publikohet për opinionin, të shikohet tërësisht dhe të shikohet se as që kam pasur qëllim për mitmarrje”,- deklaroi kryeministri i RM-së, Zoran Zaev.
Zaevi, sipas akuzës, ngarkohet se në cilësinë e personit zyrtar si kryetar i Komunës së Strumicës, nga biznesmeni, Ivan Nikollov, ka kërkuar ryshfet prej 163.924 euro, gjegjësisht nga 2 euro për metër katror tokë ndërtimtare në Strumicës, për të cilën Nikollov ka qenë i interesuar që të privatizohet.
ERSAN PAJAZITI
