Maqedoni
Osmani dhe Dimitrovi në takim me Pribenë, ekspertët të gatshëm për ta ndihmuar Maqedoninë
27.06.2017 17:39
Ministri i Jashtëm, Nikolla Dimitrov, dhe zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani, kanë realizuar një takim me ekspertin e BE-së, Reinhard Priebe...

Ky i fundit, i cili ndodhet për një vizitë pune në Maqedoni, nuk deshi të komentojë se për çfarë kanë diskutuar në takim, por shkurt u përgjigj se sapo kanë filluar punën.
Ndërkohë, nga Ministria e Jashtme nëpërmjet një komunikate njoftojnë se Pribe ka riafirmuar gatishmërinë e ekspertëve për ta ndihmuar Maqedoninë për të tejkaluar mangësitë e apostrofuara në disa fusha e që kanë të bëjnë me sundimin e së drejtës, lirinë e mediave dhe pavarësinë e trupave rregullatorë. Ministri Dimitrov shprehu mirënjohje për angazhimin e ekipit të ekspertëve të udhëhequr nga Reinhard Priebe.
“Mungesa e institucioneve të pavarura rezultoi me pasoja për proceset demokratike në Maqedoni. Prioritet i Qeverisë së re reformatore do të jetë profesionalizmi i tyre me qëllim të zbatimit të plotë të ligjeve”,- ka nënvizuar ministri Dimitrov.
Nga ana tjetër, zëvendëskryeministri Osmani, siç njofton Ministria e Jashtme, ka nënvizuar nevojën e komunikimit të drejtpërdrejtë dhe të hapur në lidhje me të gjitha çështjet që duhet adresuar si një bazë për kthimin e besimit të qytetarëve në institucione.
“Unë dhe Sekretariati për Çështje Evropiane do të jemi në dispozicionin tuaj për gjithçka që ju nevojitet për një vlerësim objektiv dhe të saktë të situatës. Ka shumë rëndësi që të marrim rekomandime të qarta për atë që duhet të ndërmerret dhe çfarë mund të realizohet në afat të shkurtër dhe të mesëm",- citohet të ketë thënë Osmani.
Osmani dhe Dimitrov gjatë takimit kanë shprehur gatishmërinë e Qeverisë për zbatimin e masave të parashikuara në planin e veprimit për prioritetet e reformave urgjente në mënyrë që Komisioni Evropian të shmang kushtëzimin e rekomandimit për fillimin e negociatave për anëtarësim.
NAIM RAMADANI
