Maqedoni
Kallavera: Ka shumë punë për t’u bërë; Osmani: Për reformat, na duhet ndihmë financiare
27.06.2017 18:16
Plani i veprimit për zbatimin e reformave dhe bashkëkryesimi në Komitetin për Stabilizim dhe Asocim...

Plani i veprimit për zbatimin e reformave dhe bashkëkryesimi në Komitetin për Stabilizim dhe Asocim janë diskutuar në takimin mes drejtoreshës së Drejtorisë për Zgjerim të BE-së, Genoveva Kallavera dhe zëv/kryeministrit, Bujar Osmani. Kallavera thotë se Maqedonia ka shumë punë për të bërë në procesin eurointegrues.
Të vetëdijshëm për këtë, KE ka treguar gatishmëri që të ndihmojë vendin në këtë proces. Në këtë drejtim janë të gjitha vizitat e nivelit më të lartë të KE-së që po zhvillohen ditëve të fundit, theksoi Kallavera.
“Jemi shumë të interesuar që të diskutojmë së bashku planin e veprimit që qeveria po përgatit. Ne po punojmë së bashku në këtë agjendë qasëse, por po përgatisim edhe bashkëkryesimin në Komitetin për Stabilizim dhe Asocim, që do të mbahet të enjten në Bruksel. Ka shumë punë për t’u bërë dhe BE-ja dhe KE-ja janë këtu për të ndihmuar ministrin, qeverinë, përkatësisht vendin që të lëviz përpara”,- deklaroi drejtoresha e Drejtorisë për Zgjerim – BE, Genoveva Ruiz - Kallavera.
Reformat nuk mund të realizohen pa ndihmë financiare dhe fonde nga BE-ja, thotë Osmani. Sipas tij, po bëhen përpjekje për të rritur kapacitetet për thithjen e fondeve, ndërkaq plani i veprimit parasheh reforma pa ndryshime të mëdha sistemore.
“Do të bisedojmë mbi planin aksional reformues të qeverisë, të cilin dje e prezantuam para komisionarit, që parashihen reforma të cilat duhet të adresohen në 3, 6 dhe 9 muajt e ardhshëm. Duke u fokusuar në ato reforma që mund t’i realizojmë pa ndryshime të mëdha sistemore ose ligjore, por natyrisht do të diskutojmë edhe në aspekt të përmirësimit të kapacitetit absortiv për fondet e BE-së, të cilët i kemi shumë të rëndësishme tani kur jemi të fokusuar në këto reforma. Nuk mund t’i zhvillojmë këto reforma pa ndihmë financiare. Rritja e efikasitetit të strukturës tonë do të mundësojë thithje më të madhe të fondeve dhe kjo do të përmirësojë cilësinë e reformave”,- tha zëvendëskryeministri, Bujar Osmani.
Pjesë e planit të veprimit do të jetë edhe ndryshimi i Ligjit për përdorimin e gjuhëve, me të cilin pretendohet avancimi i përdorimit të gjuhës shqipe.
Genoveva Ruiz - Kallavera u prit edhe nga kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi.
SHPËTIM NUREDINI
