Xhaferi: Misionet e përbashkëta me BE-në dhe NATO-n, interes i Maqedonisë
Anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe shpërndarja e vlerave të përbashkëta të Unionit është prioritet i lartë i politikës së jashtme të vendit, që dukshëm kontribuon në politikën e përbashkët të sigurisë dhe mbrojtjes së vendeve anëtare të Bashkimit Evropian............

Maqedonia gjithmonë po demonstron gatishmëri dhe aftësi të plotë për të marrë obligimet si një vend i ardhshëm anëtar i Bashkimit Evropian, theksoi në aeroportin ushtarak në Bruksel ministri i Mbrojtjes, Talat Xhaferi, në prezantimin e stërvitjes së fundit të ushtarëve të kontingjentit ushtarak të ARM-së, i cili po vepron në kuadër të misionit paqësor ushtarak të Bashkimit Evropian, “Luani i shpejtë 2014”.
Anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe shpërndarja e vlerave të përbashkëta të Unionit është prioritet i lartë i politikës së jashtme të vendit, që dukshëm kontribuon në politikën e përbashkët të sigurisë dhe mbrojtjes së vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.
Ministri Xhaferi tha se ARM deri më tani disa herë ka dëshmuar një kontribut të veçantë duke marrë pjesë në operacion paqësor pa u bërë ende anëtare fuqiplote e BE-së dhe NATO-s.
“Angazhimi i ARM-së dhe kontingjenteve të armatës me detyra konkrete nuk ka të bëjë me faktin se kur Maqedonia do të bëhet pjesë e NATO-s dhe BE-së. Angazhimi në misionet e NATO-s në Afganistan aktualisht, nuk ka të bëjë me kërkesat e vendeve për të qenë pjesë e këtyre institucioneve, por me nevojat paraprake të vetë vendeve për të qenë kompaktibil me sistemet mbrojtëse të BE-së. Interesi i R. së Maqedonisë dhe ARM-së është në faktin që ARM edhe pa qenë vendi shtet anëtar apo kandidat për anëtarësim, i shfrytëzon të gjitha kapacitetet dhe mundësitë që ofrohen nga Unioni Evropian dhe në momentin kur të jepet mundësia që vendi të bëhet anëtare e plotfuqishme, vendi do të ketë forca kopmaktibile dhe operative sipas karakteristikave që kërkon angazhimi në BE”,- deklaroi ministri i Mbrojtjes, Talat Xhaferi.
Misioni ushtarak “EUBG 2014” është i përberë nga 6 shtete pjesëmarrëse, si: Holanda, Luksemburgu, Spanja, Gjermania, Belgjika si kryesuese dhe Maqedonia, ndërsa numri i përgjithshëm i ushtarëve arrin deri në 3000. Maqedonia në këtë mision merr pjesë me një kontingjent i cili numëron afro 150 ushtarë.
Pjesëmarrja e kontingjentit të ARM-së në misionin ushtarak me karakter paqësor të Bashkimit Evropian, është edhe një dëshmi për kontributin e Maqedonisë në drejtim të proceseve integruese të vendit në BE dhe NATO. (Merita Gashi, TVM2)
