Emigrantët ilegalë, deti nxjerr 24 trupa pa jetë në brigjet e Libisë

28.06.2017 15:01

Vullnetarët e Kryqit të Kuq kanë varrosur trupat e 24 emigrantëve...

Vullnetarët e Kryqit të Kuq kanë varrosur trupat e 24 emigrantëve, në detin Mesdhe, pranë brigjeve të Libisë.

Vendasit thonë se trupat u nxorrën nga deti në fund të javës së kaluar dhe shumë prej tyre janë dëmtuar nga kafshimet e qenve endacakë.

“Ne filluam t’i marrim trupat pas paralajmërimeve që na erdhën nga rojet bregdetare libiane. Ende vazhdojmë kërkimet përgjatë bregdetit për trupa të tjerë. Vetëm sot mblodhëm 24 trupa, por bëhet fjalë për një terren shumë të vështirë. Faleminderojmë vullnetarët që ishin me ne”,- deklaroi anëtari i Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, Hossam Nasr.

Tani që koha është ngrohur, pritet të rritet numri i trafikantëve që nisin emigrantët ilegalë përmes Mesdheut, me varka të mbushura tej kapaciteteve normale. Kjo jep alarmin për autoritetet se fatkeqësi të tilla mund të përsëriten shpesh.

Askush nuk e di sa persona ka pasur varka e përmbytur, për dijeninë e së cilës u mësua vetëm kur deti filloi të nxjerrë kufomat në breg. Vetëm dje, në Mesdhe u shpëtua një varkë me 100 emigrantë, por tre prej tyre nuk ia dolën t’i mbijetojnë udhëtimit të gjatë. Të hënën, pranë brigjeve të Italisë, u shpëtuan 5 mijë emigrantë. (Rejhan Bushi-Metaj, TVM2)