Gostivar, 45 artistë në koloninë artistike “Gostivar 2017”
Mbrëmë në qytetin e Gostivarit, solemnisht u bë hapja e Kolonisë artistike ndërkombëtare “Gostivari – 2017”...

Mbrëmë në qytetin e Gostivarit, solemnisht u bë hapja e Kolonisë artistike ndërkombëtare “Gostivari – 2017”, që organizohet me rastin e Ditës së Komunës së Gostivarit, 29 qershorit, nga Shoqata e Artistëve Figurativ te Maqedonisë “Draudacum” dhe me përkrahje nga Komuna dhe Ministria e Kulturës.
“Në katër vitet e kaluara, ky aktivitet u ngrit në nivel ndërkombëtar dhe se brenda këtyre viteve morën pjesë mbi 210 artistë të artit figurativ nga tërë bota, duke filluar nga Japonia, Kina dhe deri në Amerikë. Për këto vite kemi arritur një kapital kulturor që në këto hapësira nuk është parë më herët”,- u shpreh kryetari i Shoqatës së Artistëve Figurativ të Maqedonisë “Draudacum”, Rexhat Ahmeti.
“Mbështetja nga komuna e Gostivarit do të vazhdojë edhe në të ardhmen për aktivitetet kulturore dhe me theks të veçantë aktivitetet nga sfera e artit figurativ”,- u shpreh kryetari i komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta.
Kolonia artistike “Gostivari – 2017” filloi me punë sot dhe do të përmbyllet më 2 korrik 2017, me ekspozitën kolektive të punimeve që do të realizohen nga 45 artistë me pjesëmarrës nga shumë shtete të Botës. (Lulzim Haziri, TVM2)
