Kumanovë, BDI raporton për punën e këshilltarëve
Aktivitetet e këshilltarëve të BDI-së në kuadër të Këshillit të komunës së Kumanovës....

Aktivitetet e këshilltarëve të BDI-së në kuadër të Këshillit të komunës së Kumanovës ishin temë e konferencës për gazetarë që e organizoi grupi i këshilltarëve të kësaj partie.
Theks i veçant u vu në aktivitetet infrastrukturore, që ka qenë, siç u tha, prioritet i BDI-së në mandatin e kaluar 4-vjeçar
“Vëmendja jonë ka qenë e fokusuar në mënjanimin e baltës dhe kalldrëmit nga rrugët e qytetit, që nënkupton se kemi bërë asfaltim të rrugëve të paasfaltuara dhe me kalldërm. Por, nuk janë harruar as rrugët tjera që kanë nevojë për riparim dhe meremetim. Janë realizuar mbi 40 mijë metra katrorë asfaltim dhe bekatonizim në pjesët shqiptare, duke filluar nga pjesa qendrore e qytetit e deri te vendbanimet Çerkez, Llopat, Sopot e Rramanli. Që nga pranvera është vazhduar me punët e mëtutjeshme në realizimin e asfaltimit dhe begatonizimit në më tepër se 20 mijë metra katrorë, respektivisht 13 mijë metra katrorë asfalt dhe 7 mijë metra katrorë begatona",- deklaroi koordinatori i Grupit të këshilltarëve në BDI, Ridvan Asani.
“Këtu kemi edhe një problem, konkretisht po e ceki “Lagjen e trimave”. Ajo rrugë do të asfaltohet, por kemi problem për rregullimin e trotoareve për shkak të gjerësisë së rrugës. Këtu paraqitet problemi teknik, sepse nuk mund të shkohet me tenderim, por vetëm me rikonstruim të rrugës”,- tha këshilltari i BDI-së, Feriz Dervishi.
“Unë kur kam shkuar në NP “Ujësjellësi” kanë qenë gjithsej tre shqiptarë edhe atë një rojtrar, një shofer, kurse tash ke mbi 50 shqiptarë të punësuar”,- u shpreh këshilltari i BDI-së, Skender Aliu.
U përmendën edhe projekte të tjera që janë në interes të qytetarëve, e në rend të parë të atyre në lagjet shqiptare, siç janë rregullimi i kanalizimit që kushton 5 milion euro, mjete të siguruara nga IPA fondet, si dhe rregullimi i shtratit të lumit të Likovës me vlerë prej 1 milion euro. (Nexhat Aqifi, TVM2)
