Anulohet gjykimi për rastin “Shuplaka”
Fetahi: Seanca anulohet qëllimisht, Zhernovski: gjyqësori i Gruevskit i ka ditët e numëruara...

Ish-kryeministri, Nikolla Gruevski, në tavolinën e të akuzuarve do të ulet në shtator, pasi që gjykatësja, Tatjana Mihajllova, anuloi seancën gjyqësore “Shuplakat” me pretekstin se nuk e dinte se ku ka përfunduar lënda.
Sipas gjykatëses, lënda nuk është në Gjykatën Themelore Shkup 1, por në Gjykatën e Apelit, për shkak se prokuroret, Katica Janeva dhe Fatime Fetai, u ankuan ndaj vendimit ku u gjobitën me nga 2 mijë euro për mungesë respekti ndaj Gjykatës. Prokurorja speciale, Fatime Fetai, tha se mes Gjykatës dhe palës mbrojtëse ka marrëveshje për qëllimin e vetëm, anulim të seancës.
“Për atë tregojnë rrethanat, që dokumentet e lëndës gjenden në Gjykatën e Apelit, ndërkaq kanë qenë të pranishëm të gjithë të akuzuarit, që nuk ka ndodhur në një periudhë të gjatë. Kërkuam llogari nga gjykatësja se përse ka pasur nevojë ta dërgojë gjithë lëndën në Gjykatë kur ka mundur ta dërgojë vetëm procesverbalin në të cilin duket qartë se kush ka ofenduar dhe çfarë ka ofenduar. Por, përgjigje nuk morëm”,- deklaroi prokurorja në PPS, Fatime Fetai.
Kryetari i komunës Qendër Andrej Zhernovski thotë se kjo është shtyrja e fundit e këtij rasti dhe se ditët e gjykimit të Gruevskit janë të numëruara.
"Ky është një nga truket e Gruevskit dhe gjyqësorit të tij, edhe sot kemi një tjetër dëshmi se kemi një gjyqësor që është nën kontrollin e drejtpërdrejtë të Gruevskit, por siç e dimë të gjithë, janë të numëruara ditët edhe të këtij Gjyqësori edhe të Gruevskit. Ai dhe të gjithë rreth do të përgjigjen për krimet që kanë bërë, jo 1 jo 5, por 10, 11 vjet në Maqedoni.”,- tha kryetari i komunës Qendër, Andrej Zhernovski.
Edhe pse kanë mbetur vetëm dy ditë deri në afatin prej 18 muajsh, sipas ligjit, PPS-ja mund të paraqesë akuza.
Prokurorja Fetai shkurt tha se deri në fund të javës PPS-ja do të ketë shpallje se për cilat lëndë do të ngrejë padi.
Seanca e ardhshme për rastin “Shuplaka” është caktuar për më 28 shtator. (Sanije Duraku, TVM2)
