Maqedoni
“Besa” bojkoton takimin, Gashi: Problemet zgjidhen në Kuvend, jo hoteleve
28.06.2017 16:31
Lëvizja “Besa” bojkotoi takimin e thirrur nga kreu i BDI-së me arsyetimin se nëse dikush dëshiron vërtetë të kontribuojë për shqiptarët, këtë le ta bëjnë në Kuvend dhe jo nëpër hotele....

Sipas “Besës”, vetëm Kuvendi është institucion qendror dhe ligjvënës ku zgjidhen problemet.
“Ne kishim një ftesë dhe tryezë të partive politike në një hotel, përgjigja jonë ishte sepse nuk është mirë të takohemi nëpër hotele, takimet e atilla janë për të dyshuar se vërtet kemi dëshirë për të kontribuuar për të zgjidhur problemin, nëse duam të kryejmë punë, le të formojmë grupe pune. Ja, tash kemi një prej problemeve kryesore zgjidhjen e çështjes së Ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe, pra të bëjmë grupe pune, të flasim në Kuvend, të takohemi për të parë se çfarë mund të kontribuojmë në këtë”,- deklaroi sekretari gjeneral i “Lëvizjes Besa”, Afrim Gashi.
Nga “Besa” thonë se zgjidhja e problemeve të shqiptarëve bëhet përmes pjesëmarrjes në Kuvend dhe me respektimin e demokracisë parlamentare. Çështjen e fotografimit, paradave dhe takimeve nëpër hotele “Besa” e cilëson si “hedhje hi syve” dhe nuk dëshiron të bëhet pjesë e atyre që duan të fotografohen dhe të përfitojnë mediatikisht.
FARIJE DAUTI-BAKIJU
