Maqedoni

Xhaferi: Vullnet politik për kontroll mbi ekzekutivin

28.06.2017 16:59

Kuvendi është një nga institucionet kyçe për kthim të Maqedonisë në rrjedhat demokratike dhe integrimet euroatlantike...

Shumica parlamentare ka gadishmëri të përforcojë rolin e Kuvendit, theksoi kryetari i shtëpisë ligjvënëse, Talat Xhaferi. Sipas tij, besueshmëria varet nga transparenca e punës së vetë Kuvendit.
 
Lidhur me përforcimin e rolit mbikëqyrës të Parlamentit, Xhaferi tha se nuk ekzistojnë pengesa normative të mëdha për realizim të funksionit mbikëqyrës të Kuvendit mbi pushtetin ekzekutiv, por megjithatë praktika mbetet pas rregullimit normativ.
 
“Nevojitet vullnet politik për krijim të praktikës për kontroll të vërtetë mbi pushtetin ekzekutiv. Jam i bindur se kjo shumicë parlamentare e ka atë vullnet të nevojshëm kritik, e cila do t’i lëvizte punët në një drejtim pozitiv kur bëhet fjalë për realizim të funksionit mbikëqyrës të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë”,- deklaroi kryetari i Kuvendit të RM-së, Talat Xhaferi.
 
Problemi më i madh në punën e deritanishme dhe angazhimin e deputetëve nuk kanë qenë ligjet, por implementimi i tyre, theksuan pjesmarrësit e tjerë në debat. 
 
“Nëse një element qenësor nuk tejkalohet dhe vendoset jashtë kornizave që është paraparë të funksionojë sistemi politik, nuk mund të funksionojë komplet sistemi”,- u shpreh Afrim Gashi nga Lëvizja “Besa”.
 
“Deputetit duhet t’i kthehet autoriteti dhe me vetë atë edhe funksioni i tij si mbikqyrës apo kontroll i pushtetit dhe i agjendave të sigurisë”,- u shpreh Tomisllav Tuntev nga LSDM.
 
“Dokumentin të cilin e kemi përgatitur së bashku me disa organizata në pjesën e reformave në Kuvend propozon që në qoftë se në periudhën prej tri thirrjeve të njëpasnjëshme funksioneri nuk i përgjigjet thirrjes, atëherë ai duhet të sankcionohet, ose njëra nga mundësitë edhe t’i merret funksioni të cilin e ushtron”,- u shpreh Marko Troshanovski nga “Societas Civilis”.
 
Këto deklarata u bënë në konferencën me temë “Përforcimi i rolit të Kuvendit – midis reformave dhe vullnetit politik”.
 
ERSAN PAJAZITI