Maqedoni
Rroga mesatare prej 12 mijë denarësh, 1.5 mln euro nga buxheti ndihmë kompanive
28.06.2017 17:18
Me 1.5 milion euro në muaj nga buxheti i shtetit, Qeveria planifikon t’i mbështesë kompanitë të paguajnë pagën minimale prej 12 mijë denarëve...

Ky është propozimi i Qeverisë dhe Ministrisë së Financave, mjete tashmë të parapara në rebalancin e buxhetit. Numri një i Financave, Dragan Tevdovski, thotë se rritja e pagës minimale do të jetë e realizueshme prej muajit shtator të këtij viti.
"Mjetet për mbështetjen financiare të kompanive nga muaji shtator deri në dhjetor 2017, gjithsej gjashtë milionë euro janë paraparë me ribalancin e buxhetit. Shpërndarja e këtyre mjete është paraparë të bëhet sipas numrit të të punësuarve me rrogë minimale në çdo kompani dhe të realizohet në katër kategori të ndryshme",- u shpreh ministri i Financave, Dragan Tevdovski.
Ky propozim i hedhur në debat më të gjerë nga sindikata, odat ekonomike dhe punëdhënësit, hapi shumë dilema për të. Për OEMVP-në, rritja e pagës minimale do të kontribuojë dukshëm në qarkullimin më të madh të parave në treg, ndërsa për Odën e punëdhënësve kjo mund të shkaktojë rënien e produktivitetit në punë.
“Mendojmë që dallimi prej 2 mijë denarëve në rrogën minimale nuk do të jetë një barrë e madhe për bizneset për shkak se kompanitë janë me numër jo shumë të madh të punëtorëve dhe do e kalojmë në fazën e parë dhe ekziston mundësia të kemi një mundësi më të madhe për fuqinë blerëse dhe do të kemi më shumë të holla në treg për qarkullim”,- u shpreh kryetari i OEMVP-së, Nebi Hoxha.
“Shpresoj se do të diskutohet edhe për modelitet dhe mënyrën e pagesës, të mos shkaktohet barazim joadekuat mes punonjësve të mirë që marrin 12 mijë denarë për shkak të aftësive të tyre në punë, me ata që nuk punojnë aq sa këta dhe paguhen 10 mijë denarë. Kjo do të shkaktojë rënie të produktivitetit në punë të kompanive”,- u shpreh kryetari i OPM-së, Angel Dimitrov.
Nëse punëdhënësit japin “dritë jeshile” për këtë propozim, prej shtatorit rreth 130 mijë punëtorë do ta kenë pagën minimale prej 12 mijë denarëve. Tevdovski thotë se prej muajit mars të vitit të ardhshëm mbështetja buxhetore prej 1.5 milion eurove do të përgjysmohet në 750 mijë euro në muaj.
REXHEP QAMILI
